Shitësit e librave bëhen me kulm mbi kokë

Prishtina

Shitësit e librave bëhen me kulm mbi kokë

Më: 29 shtator 2017 Në ora: 13:05
Shpend Ahmeti dhe shitësit e librave

Nga sot shitësit ambulant të librave në sheshet e kryeqytetin do të kenë strehë mbi kokë, pasi që kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka përuruar 8 kiosqe të librave.

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se dizajni i ri i kiosqeve të librave është realizuar në bashkëpunim me Demosin zviceran.

Ahmeti tha se për këto tetë kioske përparësi iu është dhënë shitësve individual të librave në shesh.

Ahmeti: Përparësi kanë pasur shitësit individual

“Me Demosin zviceran kemi realizuar me këtë dizajn të ri që ne mendojmë edhe e zbukurojnë qytetin por edhe iu japin mundësi libra shitësve, unë mendoj edhe shitësve që i kemi më të rëndësishëm në shesh, duke pas parasysh se librat duhet të shpërndahen sa më shumë, me këtë dizajn të ri gjithsej tetë kiosqe, kemi pas një procedurë të konkurrimit për këto kiosqe dhe iu kemi dhënë përparësi shitësve individual të cilët kanë qenë në shesh,duke marrë parasysh që kemi tentuar me e zgjidhe problemin për ta”,tha ai.

Sipas tij, gjatë konkurrimit ka pasur interesim edhe nga kompanitë botuese të librave për të cilat, Ahmeti ka premtuar se do të ofrojë lokacione të ndryshme të qytetit, me kiosqe të njëjta për t’i shitur librat e tyre.

Kryetari aktual i kryeqytetit, Shpend Ahmeti duke kërkuar që të mirëmbahen sa më mirë këto kiosqe, tha se po mundohen që të jenë të barabartë me të gjithë shitësit e librave.

Ndërkaq, drejtori i Planifikimit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në komunën e Prishtinës, Genc Bashota, tha se në konkurs kanë aplikuar 18 aplikues, prej tyre 11 kanë qenë shitës individual dhe 7 kompani botuese.

Bashota tha se një kioskë kushton afër 7 deri 8 mijë euro.

Bashota: Kemi pasur 18 aplikues

“Kemi pas 18 aplikues, prej të cilëve 11 kanë qenë shitës individual, ndërsa, 7 kanë qenë kompani...Nuk kam qenë në atë procesin e prokurimit po sa kam dëgjuar diku afër 7 deri 8 mijë euro për një kiosk”, tha ai.

Besian Zeneli, shitës i librave u shpreh i kënaqur që më në fund kanë një kulm mbi kokë dhe që tani e tutje punën e tyre do ta bëjnë dinjitetshëm dhe me kushte më të mira për punë.

Zeneli: Do vazhdojnë dinjëtetshëm punën tonë

“Këto që po i shihni janë jashtëzakonisht të mira, tash e tutje këto janë shtëpitë tona dhe padyshim që ne do të kujdesemi, do i mirëmbajmë dhe do vazhdojmë punën tonë tashmë dinjëtetshëm me një kulm mbi kokë dhe me kushte më të mira për punë“, tha ai.

Po ashtu, edhe shitësi Musa Tullari për KosovaPressu është shprehur i kënaqur me këto dyqane të librave që iu janë ofruar aty, por thotë se do të duhej të ishin më të gjëra që të furnizohen më tepër me libra.

Tullari: Jemi mjaftë të kënaqur

“Jemi të kënaqur mjaftë, kushtet i plotësojnë, besoj që 80 për qind i plotësojnë, kemi pas edhe disa kërkesa pak diçka por mirë shumë...kanë mundur pak më të gjera me qenë për me u furnizuar më tepër me libra”, tha ai.

Ndryshe, pagesa mujore për shfrytëzimin e kiosqeve për një muaj do të jetë 10 euro për metër katror.

I pyetur se ky përurim i kioskave të librave mos e ka të bëjë me fushatën zgjedhore, i pari i Prishtinës njëherish edhe kandidat për kryeqytetin, tha se gjatë katër viteve ata kanë punuar dhe kjo nuk ka të bëjë fare me fushatën.

Ndryshe, kohë më parë shitësve të librave iu është ofrua një zgjidhje për të cilën nuk ishin pajtuar. 

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat