Abrashi prezantoi projektin për turizëm në zonën e Gollakut në Prishtinë

Prishtina

Abrashi prezantoi projektin për turizëm në zonën e Gollakut në Prishtinë

Më: 30 shtator 2017 Në ora: 13:33
Pamje nga takimi

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka prezantuar sot projektin e tij për shndërrimin e fshatit Butoc dhe fshatrave tjera përreth në një qendër turistike për kryeqytetin.

Për të jetësuar këtë projekt ai ka propozuar tri projekte prioritare. I pari ka të bëjë me rregullimin e kanalizimit në këtë zonë, i cili është gati jofunksional.

“Është e pakuptimtë për një qytet, të cilit i tepron buxheti, ndërsa i ka lënë banorët e këtyre lagjeve pa kanalizim. Kjo praktikë është e papranueshme dhe do të ndryshojë gjatë qeverisjes time”, ka thënë Abrashi.

Projekti i dytë ai ka përmendur vazhdimin e ndërtimit të trotuareve për këmbësorë, për të krijuar mundësi qarkullimi për banorët, por edhe turistët. Në këtë mënyrë rritet edhe siguria e atyre që ecin në këmbë.

Për të rritur kapacitetet turistike Abrashi ka thënë se do të ndërtohet një rrugë deri në Grashticë, e cila ka qenë e buxhetuar më 2014, por nuk e di pse nuk është realizuar, sigurisht ka pasur mungesë të vullnetit.

“Rruga do të jetë me ndriçim me trotuare dhe me të gjithë infrastrukturën e nevojshme”, ka thënë ai.

Një projekt tjetër, i Abrashit në këtë zonë do të jetë vendosja e gypave më të mëdhenj të ujësjellësit në mënyrë që të përmirësohet furnizimi me ujë të pijshëm, deri në Grashticë dhe fshatra tjerë.

“Një projekt tjetër të cilin e kemi menduar është asfaltimi i rrugës nga Matiqani në Kolovicë, që kjo pjesë të bëhet turistike. Në këtë mënyrë ne rritim shumë më tepër potencialin e Gërmisë, me u hapë hotele dhe restorante të vogla”, ka thënë Abrashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat