Ahmeti premton ndërtimin e Spitalit të Qytetit

Prishtina

Ahmeti premton ndërtimin e Spitalit të Qytetit

Më: 3 tetor 2017 Në ora: 14:23
Kandidati për kryetar të Prishtinës Shpend Ahmeti

Kandidati për kryetar të Prishtinës Shpend Ahmeti ka shpalosur sot në sheshin e kryeqytetit katër prioritet e tij për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale.

Ahmeti  tha se prioritet i qeverisjes së kaluar ka qenë përmirësimi i infrastrukturës së shëndetësisë në kryeqytet dhe këtë gjë nuk e konteston askush.

Me këtë rast ai u zotua se gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës do të bëjë ndërtimin dhe funksionalizimin e Spitalit të Qytetit, i cili do të përfundojë në vitin 2019.

Sipas tij çështja e Spitalit të Qytetit është futur në ligjin për Prishtinën me qëllim që e drejta për themelim t’i takojë komunës së Prishtinës.

Ahmeti tha se duhet të presin edhe Ligjin për Sigurime shëndetësore në mënyrë që edhe shërbimet të jenë të mbuluara financiarisht.

Ahmeti: Spitali i Prishtinës e kemi futur në ligjin për Prishtinën

 “Ne e kemi futur në Ligjin për Prishtinën që është përgatitur para nëntë muajve ku tashmë ka hyrë në draft që e drejta ekskluzive për themelimin e Spitalit të Qytetit i takon kryeqytetit dhe i takon Prishtinës. Me këtë rast do të mënjanohen pengesat ligjore të cilat momentalisht janë dhe pastaj do të fillojmë me diskutime gjithëpërfshirëse edhe me QKUK-në në mënyrë që  ta mendojmë mirë e gjatë Spitalin e Qytetit. Ne mendojmë se ndërtesa është problemi më i vogël rreth themelimit të Spitalit të Qytetit dhe po ashtu mendojmë që duhet të presim Ligjin për Sigurime Shëndetësore në mënyrë që pastaj edhe shërbimet të jenë të mbuluara financiarisht”, tha Ahmeti.

Ai ka folur edhe për lokacionin se ku mendohet të jetë Spitali i Qytetit e që sipas Ahmetit ai duhet të jetë afër apo brenda Qendrës Klinike Universitare, me qëllim që t’u shërbejë të gjithë qytetarëve.

Prioritet tjetër për shëndetësinë i pari i Prishtinës e ka edhe ndërtimin dhe funksionalizmin e Qendrës për Autizëm dhe Sindrom Doën me lokacion tek Stacioni i Autobusëve.

Ahmeti tha se kjo qendër do të ofrojë shërbime të veçanta jo vetëm për prishtinasit por për gjithë Kosovën, pasi që mungon një qendër e tillë.

Ahmeti: Qendër që ofron shërbime të veçanta

 “Nuk është thjesht si një qendër për qëndrim ditor por është qendër që do të ofroj shërbime, pra shërbime të cilat zakonisht familjet i paguajnë me një kosto  të lartë, shërbime të cilat janë të veçanta dhe po e them edhe njëherë kjo do t’i shërbej si duhet gjithë Kosovës sepse nuk ka askund tjetër qendër të tillë“, tha ai.

Ahmeti tha se  kjo qendër do të ndërtohet në bashkëpunim me shoqatat Sindrom Doën dhe Autizëm në mënyrë që të jetë qendra e vetme që ofron shërbime për  persona të prekur me këto sëmundje.

Pjesë e planit qeverisës për të kompletuar  rrjetin e Qendrave Mjekësore Familjare në kryeqytet, pretedenti për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti ka paraparë edhe ndërtimin e një Qendre të Mjekësisë Familjare në Veternik për të cilën është ndarë buxheti dhe lokacioni për ndërtimin e saj.

Ndërkaq për zonimin e  qytetit për shëndetësinë primare ka folur Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia,i cili tha se procesi i zonimit pritet të përfundoj afërisht brenda dy muajve.

Ai tutje tha se fokusi kryesor i tyre mbetet fuqizimi i i shëndetësisë duke e pasur në qendër të vëmendjes qytetarin dhe shtimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve mjekësore në kryeqytet.

Vitia: Zonimi përfundon afërsisht edhe dy muaj

 “Mund të them që zonimi brenda një muaj, dy muaj maksimum do të jetë proces i përfunduar dhe kjo do të merr fund si proces.  Gjitha të tjerat përfshirë edhe zonimin e qytetit ato çka do të mundohemi dhe do të investojmë në katër vitet e ardhshme në kujdesin parësor shëndetësor në komunën e Prishtinës do jetë forcimi i konceptit, fuqizimi i konceptit të mjekësisë familjare me qytetarin në qendër të vëmendjes duke shtuar shërbimet, duke shtuar të gjitha cilësinë e këtyre shërbimeve”, tha Vitia.

Gjatë ditës Ahmeti ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, dhe Qendrën e Mjekësisë Familjare të Studentëve. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat