?Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një vizite në fshatin Ballaban ka thënë se pas fitores në zgjedhjet e 22 tetorit do ta ndërpresin praktikën e diskriminimit të banorëve të Prishtinës në punësim.
“E kemi të qartë se është bërë diskriminim në administratën publike në Komunën e Prishtinës, qoftë në sistemin arsimor, shëndetësor, por edhe në vetë administratën komunale, ku janë pranuar një numër i konsiderueshëm i banorëve të komunave tjera, përkundër faktit se ka pasur kuadro nga lagjet dhe fshatrat e Prishtinës. Pra, ne do t’i kushtojmë rëndësi kësaj çështjeje, si në Ballaban ashtu edhe në vendbanimet tjera”, ka thënë Abrashi, duke shtuar se punësimi do të jetë ndër prioritetet kryesore.
Për banorët e Ballabanit ai ka premtuar edhe asfaltimin e pjesës së mbetur të rrugës, pjesë që i takon Komunës së Prishtinës, duke shpresuar që në marrëveshje edhe me Komunën e Podujevës asfaltimi të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që kjo zonë të përfitojë edhe në lëmin e turizmit, për çka mundësitë janë të mëdha.
“Do të ketë subvencionime shumë më të mëdha në bujqësi. Do të punojmë shumë edhe për përmirësimin e transportit, ndërsa për pensionistët transporti do të jetë falas në tërë komunën dhe jo vetëm në një linjë të trafikut“, është shprehur kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës.
Disa nga kërkesat e fshatarëve kanë qenë për kabinetet në shkollë, një ambulancë dhe intervenimi në rrugët e disa lagjeve, për të cilat Abrashi ka premtuar zgjidhje të shpejtë.
Ai ka thënë se kemi plane edhe për Ballabanin, Shaskocin, Drenocin, deri në Hajkobillë.
“Ne do të jemi komuna e parë që do të ketë Fondin e Punësimit, që nënkupton se ne do t'i përkrahim të rinjtë dhe të rejat dhe ata që kërkojnë punë, përmes përkrahjes financiare nëpërmes granteve të vogla, subvencionim të pagave etj.”, tha Abrashi.