Abrashi zotohet se do të përkrah të gjitha klubet sportive në infrastrukturë

Prishtina

Abrashi zotohet se do të përkrah të gjitha klubet sportive në infrastrukturë

Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 14:53
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka premtuar se do të mbështesë të gjitha klubet e sportit në Prishtinë.

Gjatë një takimi me lojtarët e FC Prishtina,  Abrashi ka thënë se në katër vitet e fundit sporti dhe kultura në kryeqytet ka degraduar.

Ai tha se klubet e Prishtinës stërvitjet dhe lojërat i mbajnë jashtë Prishtinës, por premtoi se gjatë mandatit të tij të gjitha këto klube do t’i përkrah në infrastrukturë.

Abrashi: Ne synojmë ti përkrahim të gjitha klubet e Prishtinës në infrastrukturë

“Ne synojmë t’i përkrahim të gjitha klubet e Prishtinës në infrastrukturë, të zhvillojmë sportin përmes zhvillimit të infrastrukturës, sikurse projekti i Pallatit të Rinisë, projekti i Pishinës Olimpike. Të përkrahim sportin profesional në disiplinat tjera, të përkrahim sportin shkollor duke funksionalizuar ligën e sporteve në Prishtinë, sepse besojmë dhe ka shumë talentë në Prishtinë. Është detyrë e jona t’i nxisim ata, t’i promovojmë dhe t’iu japim edhe përkrahje morale dhe përkrahje financiare. Mbi të gjitha të përkrahim dhe të zhvillojmë sportin rekreativ, do të thotë ne synojmë të ndërtojmë së paku 20 salla sportive nëpër lagje të ndryshme të Prishtinës dhe fshatra të Prishtinës ku do ti stimulojmë dhe do ti nxisim sportin rekreativ”, tha Abrashi.

Presidenti i FC Prishtina, Remzi Ejupi, tha se është koha e fundit që klubi të ketë vëmendje më të madhe.

Ejupi bëri thirrje që sa më pak të politizohet sporti dhe të jenë më afër klubit që ai drejton.

Ejupi: Klubi e meriton që të ketë një vëmendje shumë më të madhe

“Është momenti i fundit që klubi i Prishtinës, klubi më i madh, klubi i Kosovës jo vetëm i Prishtinës që në këto vitet e fundit është vërtetë për keqardhje se si është injoruar. Mendoj se në të ardhmen që klubi e meriton që të ketë një vëmendje shumë më të madhe dhe presim që në të ardhmen, ne nuk mund të ja ndërrojmë ngjyrat klubit, klubi është ky që është bardh e kaltër dhe mendoj se në të ardhmen sa më pak që ta politizojmë sportin dhe të jemi sa më afër klubit. Për arsye se ky është një klub i krejt Kosovës, është klub i kryeqytetit që e meriton një vëmendje shumë më të madhe”, tha ai.

Gjatë ditës së sotme kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka prezantuar planin “Prishtina-Qytet Kompakt”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat