Vetëvendosje përmbyll fushatën në Prishtinë, Kurti: Ky regjim do të donte që mos ekzistonte Vetëvendosje

Prishtina

Vetëvendosje përmbyll fushatën në Prishtinë, Kurti: Ky regjim do të donte që mos ekzistonte Vetëvendosje

Më: 17 nëntor 2017 Në ora: 19:32
Tubimi i VV-së, Prishtinë

(E plotësuar) - Numër i madh i simpatizantëve të Lëvizjes Vetëvendosje u mblodhën sonte në sallën “1 Tetori” në Prishtinë në tubimin e fundit përmbyllës të fushatës pesë ditore për raundin e dytë që do të mbahet më 19 nëntor.

Tubimi i sontëm nuk kishte se si të fillonte ndryshe përveç se me  reagimin për dënimin e 4 aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga Gjykata Themelore e Prishtinës për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

 Në tubimin e madh të VV-së si gjithherë marrin pjesë prindërit e aktivistit tanimë të ndjerë Astrit Dehari.

Secili nga folësit i përshëndeti Avni dhe Xhemile Dehari si dhe prindërit e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt të vrarë në protestat e vitit 2007 organizuar nga kjo Lëvizje.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri  tha se dënimi i sotëm ndaj katër aktivistëve dëshmon se sa thellë është kapur shteti.

Sipas tij i ngutshëm është ndryshimi për vendin, prandaj ai tha se do të mobilizohen që më 19 nëntor të qeverisin në 5 komunat ku janë në balotazh.

Ymeri tha se fuqizimi i Vetëvendosjes i shërben drejtësisë duke i dërguar ‘hajnat në burg dhe duke u dhënë lirinë qytetarëve të Kosovës’.

Ai tha se fuqizimi i Vetëvendosjes garanton edhe zhvillim ekonomik, dhe mirëqenie për të gjithë.

Ymeri: Fuqizimi i Vetëvendosjes i dërgon hajnat në burg

“Ky fuqizim i Vetëvendosjes i shërben fuqizimit të të drejtëve në këtë vend e fuqizimi i të drejtëve e mund padrejtësinë, ky fuqizim i Vetëvendosjes i shërben barazisë në këtë vend e barazia i mund të privilegjuarit që e kanë kapur shtetin, ky fuqizim i Vetëvendosjes i shërben drejtësisë në këtë vend e drejtësia i dërgon hajnat e kriminelët në burg ndërsa ua jep lirinë qytetarëve e aktivistëve. Po ky fuqizim i Vetëvendosje i garanton edhe zhvillimin këtij vendi e zhvillimi e mund varfërinë e ja kthen dinjitetin qytetarit punëtor, ky fuqizim i Vetëvendosjes e sjell mirëqenien në këtë vend”, tha Ymeri.

Ymeri ka ftuar të gjithë simpatizantët që të mos humbin fokusin për betejën politike  të  19 nëntorit, me qëllim që Lëvizja Vetëvendosje të dal fituese edhe në pesë komunat tjera, dhe kështu edhe pesë “Shpenda” tjerë të udhëheqin për katër vite në Prishtinë, Gjilan, Kamenicë, Prizren, Podujevë dhe Kaçanik.

E masa elektrizohet kur del në skenë lideri Albin Kurti. Ai tha se të gjitha komunat tjera janë keq përveç Prishtinës.

Sipas tij komunat tjera kundërmojnë, kanë korrupsion si ‘n’bahçe të babës’, kanë nepotizëm, i kanë nxënësit e uritur përveç Prishtinës. Prandaj Kurti ftoi të gjithë që ta votojnë Qëndron Kastratin në Kamenicë, Ajet Poterën në Podujevë, Sami Kurteshin në Gjilan, Mytaher Haskukën në Prizren dhe Basri Kodrën në Kaçanik. Ardhja e tyre në pushtet sipas Kurtit nuk do të thotë rehati por përgjegjësi.

Kurti: Ky regjim do të donte që mos ekzistonte Vetëvendosje

Deputeti më i votuar në nivel vendi nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti fjalimin e tij në tubimin përmbyllës të fushatës e ka nisur me disa fjalë për vendimin e Gjykatës që të shpallën fajtorë aktivistët e VV’së.

“Me 21 vjet vite burgim u dënuan Adea, Egzoni, Atdheu e Frashëri, vetëm pak ditë pas mbytjes së Astrit Deharit. Ky regjim do të dëshironte që të mos ekzistonte Vetëvendosje, por këtë gjë në duar e ka populli i Kosovës, që na ka fuqizuar si asnjëherë më parë këtë vit”, ka thënë Kurti që në fillim të fjalimit të tij.

Tutje, ai tha se zemërimin duhet trajtuar me mençuri.

“Zemërimin tonë duhet ta trajtojmë me mençuri. Me zemër e mendje të punojmë, që me zemër e mendje të votojmë e të festojmë. Jemi të fuqishëm duke u forcuar. 19 nëntori do ta bëjë vitin 2017, vit të Lëvizjes Vetëvendosje. Vetëvendosjen të gjithë e kanë parë duke u rritur”, deklaroi Kurti.

Ai tha se puna që u bë në Prishtinë mandatin e kaluar, do të bëhet edhe në komunat tjera ku do të fitojë Vetëvendosje sipas tij.

“Në Prishtinë mandatin e kaluar pati punë e përgjegjësi. Kështu do të jetë edhe në komunat e tjera ku do të fitojë Vetëvendosje – Podujevë, Gjilan, Prizren, Kaçanik, Kamenicë. Komunat e Kosovës janë kapluar nga korrupsioni, përveç Prishtinës. Komunat janë bërë si pronë familjare, përveç Prishtinës. Komunat janë si plaçkë e hajnisë, përveç Prishtinës. Komunat janë pa plane, kanë kanalizime pa gypa, e gypa pa ujë, përveç Prishtinës.  Qytetarët i duan ndryshimet, e duan Vetëvendosjen, sepse duan të ecin përpara. Vota është demokraci, jo tregti. Vullnet, punë e fitore maksimale”, vazhdoi tutje Kurti.

Ahmeti: S’është çudi që dënimi ndaj aktivistëve erdhi dy ditë para zgjedhjeve

Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili është kandidat edhe për një mandat në kryeqytet, tha se aktivistët e Vetëvendosjes sot u dënuan nga i njëjti gjykatës e prokuror që e mbajtën në burg padrejtësisht edhe Astrit Deharin.

Në tubimin përmbyllës të Vetëvendosjes, Ahmeti tha se nëse aktivistët do t’i shpallin të pafajshëm, atëherë ata do ta fajësonin vetën.

Sipas tij, drejtësia do të vie, meqë nuk ka asnjë dëshmi për fajësinë e aktivistëve.

“I njëjti gjykatës e prokuror e mbajtjen Astritin në burg padrejtësisht ku edhe humbi jetën. Nëse aktivistët do të shpalleshin të pafajshëm, ata do të fajësonin vetën. Drejtësia do të vie sepse nuk ka asnjë dëshmi për këtë fajësi. Nuk është çudi që vendimet e tilla të vinë dy ditë para zgjedhjeve. Por, tashmë jemi më të motivuar e të guximshëm për të dielën e 19 nëntorit”, tha më tej Ahmeti.

Pacolli: Ne jemi koalicioni i shpresës

“Ne na quajtën koalicioni i biznesit, sikur nuk e dinin se çfarë koalicionesh kanë lidhur. Unë iu bëj me dije nga këtu se nuk bëmë koalicionin e biznesit por të shpresës dhe të ardhmen e Prishtinë i cili filloi para katër vitesh të ndahet vija që dukej me ngjyrë gri dhe sot duket një qytet evropian”, tha Pacolli.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë votuesve që ta votojnë Ahmetin që ai e ka quajtur ‘njeriun e duhur për Prishtinën’ duke thënë se në 20 vitet e ardhshme nuk do të ketë vend për qeverisje tjera por do të qeverisin bashkë me Vetëvendosjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat