Abrashi: Shpend Ahmeti po ikë nga debatet sepse po i frikësohet ballafaqimit të fakteve

Prishtina

Abrashi: Shpend Ahmeti po ikë nga debatet sepse po i frikësohet ballafaqimit të fakteve

Më: 17 nëntor 2017 Në ora: 21:47
Abrashi, fushata

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, nëpërmes një statusi në Facebook ka thënë të premten se Shpend Ahmeti dhe Vetëvendosje po ikin nga debatet e dakorduara më parë dhe nuk po pranojnë ballafaqimin e fakteve.

“Ajo që dihet botërisht është se unë dhe z.Shpend Ahmeti, përmes shtabeve përkatëse, jemi dakorduar për këto debate të periudhës zyrtare të fushatës që është 13 deri më 17 nëntor: Klan Kosova, e hënë, 13 nëntor; KTV – Rubikon, e martë, 14 Nëntor; RTK, e mërkurë, 15 nëntor; dhe TV21, tek Jeta Xharra, e premte, 17 nëntor. Unë e kam respektuar me përpikëri dakordimin në mes të televizioneve me shtabet e LDK-së dhe VV-së. Kam marrë pjesë në debatin e parë, që ishte në Klan Kosova, të martë në Rubikon, të mërkurën në RTK dhe sonte te Emisioni ‘Jeta në Kosovë’ në RTV 21”, ka thënë Abrashi.

Postimi i plotë i z. Abrashi:

Pas debatit të parë, z.Shpend Ahmeti dhe Vetëvendosje po anulojnë radhazi të gjitha debatet e dakorduara. Z.Shpend Ahmeti dhe Shtabi i Vetëvendosjes po mundohen të manipulojnë qytetarët dhe opinionin. E vërteta është se ai ka frikë që të përballet me mua dhe të vërtetën.

Unë kam pritur, sikur edhe qytetarët e Prishtinës, përballjen e radhës me z.Shpend Ahmeti në Rubikon në KTV, në emisionin më të shikuar të KTV-së tash e 15 vite. Në këtë emision janë zhvilluar debatet më të fuqishme me figurat më të larta të vendit dhe ndërkombëtare. Por, z. Shpend Ahmeti, siç e pranoi edhe shtabi i tij, nuk ka guxim të ballafaqohet në një format televiziv ku kërkohen fakte, fakte dhe vetëm fakte. Ai e zgjodhi ikjen dhe abstenimin vetëm pak orë para fillimit të emisionit.

Z.Shpend Ahmeti edhe të mërkurën nuk erdhi në debatin e radhës në RTK të dakorduar paraprakisht. Ai ka ikur edhe sonte nga emisioni, tek Jeta Xharra në TV21.

Shpend Ahmeti e ka obligim karshi qytetarëve të Prishtinë të marrë pjesë në debatet televizive, ashtu siç po bëjnë të gjithë kandidatët e tjerë për kryetarë komunash.

Sidoqoftë, ikjet dhe shmangiet e tij e kanë një fund me të cilin do të përballen medoemos. Meqenëse nuk respektoi asnjëherë nevojat e qytetareve të Prishtinës, jo vetëm për debat gjatë garës, por edhe gjatë mandatit katërvjeçar, do të jenë qytetarët e Prishtinës, ata që me votën e tyre të 19 nëntorit do ta obligojnë që të përballet edhe njëherë me mua.

Por, këtë herë detyrimisht, me rastin e pranim-dorëzimit të detyrës së Kryetarit të Komunës së Prishtinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat