LDK kërkon rishikimin e votave të pavlefshme në Prishtinë

Prishtina

LDK kërkon rishikimin e votave të pavlefshme në Prishtinë

Më: 21 nëntor 2017 Në ora: 06:19
Driton Selmanaj

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se kjo parti do të kërkojë rishikimin e 610 votave të pavlefshme në Prishtinë.

Selmanaj ka thënë në Interaktiv se LDK ka dyshime se mund të ketë gabime në këto vota dhe “dëshiron sqarimin e plotë të tyre për të pasur pasqyrë të pastër të rezultateve”.

Ai ka thënë po ashtu se LDK-ja ka kërkuar nga organet kompetente që të shohin përse ka pasur mospërshtatje në rezultatet e para të publikuara, pasi Arban Abrashit të LDK-së më vonë iu shtuan edhe 80 vota duke ngushtuar diferencën ndaj Ahmetit në vetëm 237 vota.

“Pasi kemi parë ndryshimin e numrit të votave, ju kemi bërë thirrje organeve që merren me këto raste të shohin nëse ka ndodh gabim i qëllimshëm apo pse ka ndodhë”, ka thënë ai.

Selmanaj është shprehur i bindur se LDK do të mund të përmbysë rezultatin pasi të numërohen të gjitha votat me kusht. Ai ka thënë se “këtë bindje e ka të bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të shkuara në Prishtinë”.

“Trendet kanë treguar që edhe në zgjedhjet e kaluara votat me kusht i janë atribuuar LDK-së dhe po shpresojmë që diferenca prej 200 votash mund të ndryshohet. Mund të rritet diferenca me VV-në, por besojmë që hendeku do të shuhet dhe do të jemi fitues”, ka shtuar ai.

Deputeti i LDK-së po ashtu ka përsëritur deklaratën se “LDK është partia më e madhe në vend”.

“E fituam s’e fituam Prishtinën, jemi partia e parë në vend me numrin e votave”, ka thënë ai.

Selmanaj ka thënë se LDK-ja në Prizren nuk e ka përkrahur zyrtarisht Vetëvendosjen dhe Mytaher Haskukën në garën ndaj PDK-së, por ka shtuar se elektorati i LDK-së dhe strukturat e LDK-së ishin të hapura për bashkëpunim me cilëndo parti për ta rrëzuar pushtetin e PDK-së.

“Ka qenë votë e lirë në Prizren për secilin qytetar dhe siç duket shumica e tyre kanë menduar që Haskuka ishte kandidati i duhur”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat