Mblidhen mjete shkollore për fëmijët që s’kanë mundësi t’i blejnë - Bota Sot
Mblidhen mjete shkollore për fëmijët që s’kanë mundësi t’i blejnë

Prishtina

Mblidhen mjete shkollore për fëmijët që s’kanë mundësi t’i blejnë

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 15:08
Fëmijët e kopshtit “Play and Learn” të Fushë Kosovës kanë zgjedhur të ndihmojnë përmes dhurimit të mjeteve shkollore

1 shtatori ende nuk ka ardhur, por këta fëmijë kanë vendosur çantat e shkollës në krahë.

Me to janë nisur drejt sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku së bashku me kujdestarët e kopshtit të tyre po dorëzojnë fletore, lapsa me ngjyra dhe mjete të tjera janë ato që po i dhurojnë për bashkëmoshatarët e tyre.

Fëmijët  e kopshtit “Play and Learn” të Fushë Kosovës kanë zgjedhur të ndihmojnë përmes dhurimit të mjeteve shkollore në fushatën e nisur “Shtatori sivjet me çantën komplet” për të gjithë fëmijët në nevojë që nuk kanë mundësi të blejnë fletore dhe ngjyra për shkollë.

Aksioni është organizuar nga “Nëna dhe Fëmijë të Lumtur”, shoqatë kjo që udhëhiqet nga aktorja Edita Duli, dhe tash e disa herë po organizon aktivitete bamirësie për mbi 600 familje në nevojë sa ka të regjistruara.

Grupi “Maniakët e Leximit” dhe dy organizata tjera, “Koha në durt tona” nga Vushtrria dhe ”Comunity Supporters” nga Fushë Kosova po e mbështesin aksionin që ka nisur nga 22 gushti dhe do të vazhdojë deri më 22 shtator.

Alie Murati përgjegjëse në kopshtin “Play and Learn “, thotë se përherë ndihmon shoqatat që të mbledhin ndihma për fëmijët në nevojë.

Murati: Të solidarizohemi së bashku për familjet në nevojë

”Sot kena ardh me fëmijë me dhuru çanta për kampanjën dhuro për nxënës nuk është hera e parë që marrim pjesë në kampanja që organizon Edita, gjegjësisht shoqata nëna dhe fëmijë të lumtur, kjo në fakt është iniciativë që është marrë prej Editës por që unë çdo iniciativë që merret prej saj unë e përkrahi vetë si individë por edhe me kopshtin…[00:55] Duke e ditur se si popull muj m thanë tash lirshëm jemi shumë varfanjakë pse ka shtresë shumë të pasur dhe shtresë shumë të varfër kështu që sado pak ndoshta me i ndihmu me gjanat që ndoshta janë tepërta ten a nëpër shpia. Jam e sigurt që gjithkush e ka një çantë në shtëpi, gjithkush ka fletore që si përdorë në shtëpi e ngjyra e gjana të tilla që ndoshta për një nxënës ato kishin me qenë të domosdoshme. Kështu që thirrja gjithmonë ko me qenë ajo që sa ma tepër me u solidarizua me njerëz të tillë jo veç për këtë kampanjë por çka do q ë vjen në të ardhmen”, ka thënë Murati.

Fushata e njëjtë ishte organizuar edhe vitin e kaluar, kur vetëm organizata “Nëna dhe Fëmijë të Lumtur” dhe grupi “Maniakët e leximit” kishin nisur aksionin.

Shkurte Jonuzi nga “Maniakët e Leximit”, grup në Facebook që promovon librat dhe leximin dhe ka 20 mijë anëtarë, thotë se përmes kësaj kampanje kanë dashur të ndihmojnë fëmijët në nevojë.

Suksesi i vitit të kaluar thotë se ka shtyrë ata që të vazhdojnë, ngase arritën të ndihmojnë nga një fëmijë në 600 familjet e regjistruara si në nevojë.

Jonuzi: Vitin e kaluar ndihmuam, nga një fëmijë në 600 familje

“Faktikisht kampanja ka filluar vitin e kaluar. Domethënë vitin e kaluar është organizuar brenda dy-tri ditëve, kemi dalë një ditë në shesh dhe kemi mbledhë mjete shkollore. Vitin e kalum e kemi organizu maniakët e leximit dhe Nëna dhe Fëmijë të Lumtur. Për shkak të suksesit që ka pasur kemi vendos me organizu edhe këtë vit dhe kësaj here janë bashkëngjitur edhe disa organizata të tjera siç është Community Builders dhe organizata Koha në duart tona nga Vushtrria”, ka treguar ajo.

Jonuzi po ashtu ka thënë se në mungesë të një organizimi shtetëror për të ndihmuar familjet në nevojë, organizatat dhe qytetarët po duhet të vetorganizohen.

Jonuzi: Organizatat po bëjnë atë që shteti nuk po bënë

“Faktikisht arsimi dhe edukimi I duhur që individët e marrin në moshë të hershme nga klasa e parë e tutje është baza e një shoqërie të shëndetshme dhe të fuqishme… Gjithsesi faktikisht është dashtë që shteti që këto familje që nuk kanë mundësi këto mjete shkollore mi ble për fëmijët e tyre, është dashtë shteti me i mbështet e jo me pas nevojë që organzitat se prind e tyre me mendu qysh mi ble këto mjete por në mungesë të një organizimi shtetëror me bo diçka të tillë duhet organizata me bo këtë”, ka thënë ajo.

Aksionit iu janë bashkuar edhe shumë vullnetarë. Ndër ta aktorja dhe producente, Anisa Ismaili.

Ismaili: Fëmijët çdoherë gëzohen kur marrin gjëra të reja për shkollë

”Në OJQ-në tonë janë të regjistruar mbi 600 familje në nevojë dhe duke e parë çdoherë nevojën tyre që vijnë marrin rroba në OJQ-në tonë gjithë i marrin natyrisht pa pagesë atëherë vendosëm me ba një kampanjë të tillë dhe me iu ndihmu me mjete shkollore sepse fëmijët çdoherë gëzohen kur marrin gjëra të reja për shkollë e di kur kam qenë vetë fëmijë ose prej fëmijëve të tjerë kësaj radhe na u bashkuan  dy OJQ tjera, një prej fushë Kosovës që punon në komunitetin romë dhe maniakët e leximit. Pastaj mënyra më e mirë është me dalë në shesh dhe me mbledhë edhe mi vetëdijesua njerëzit s epo vijnë po pyesin çka po ndodh, po mendojnë që jemi tu shit dhe mandej po tregojmë që jemi tu mbledhë për fëmijët në nevojë ata po shkojnë po blejnë diçka dhe po na sjellin neve”, ka thënë ajo.

Ndërsa Arta Tërstena nga organizata “Community Supporters”,  që punon me komunitetin Romë, Shkali dhe Egjiptian në Fushë Kosovë thotë se nevojat e këtij komuniteti kanë bërë që të bashkohen me aksionin në mënyrë që të gjithë fëmijët në mënyrë të barabartë të kenë mundësi të vijojnë mësimin.

Tërstena: Duke ndihmuar motivojmë komunitetin që të mos ndalë mësimin

“E para kishim me ju tregu prindërve të atyre fëmijëve të komunitetit romë, ashkali e egjiptian që nuk janë vetëm dhe iu kishim tregu që edhe ne si shqiptarë po dojmë që ata me qenë të barabartë si pjesë e shoqërisë sonë dhe anën tjetër edhe fëmijët kishim me i lumturu edhe më të vërtetë kishë me qenë motivim për ata me vazhdu shkollimin sepse ka shumë raste që shkojnë në shkollë dhe e shohin shokun ose shoqen me një çantë që ata nuk munden me e pas dhe kjo e bënë me u ndje inferior apo të lëndum edhe kjo e bënë ndoshta ata që thjeshtë me heqë dorë prej vazhdimit të shkollës…”, ka thënë ajo.

Aksioni për mbledhjen e mjeteve shkollore do të vazhdojë deri më 22 shtator dhe të gjithë ata që duan të ndihmojnë mund të dorëzojnë mjetet shkollore te zyrat e organizatës “nëna dhe Fëmijë të Lumtur” në lagjen Ulpiana në Prishtinë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...