Trafiku urban ende me probleme - Bota Sot
Trafiku urban ende me probleme

Prishtina

Trafiku urban ende me probleme

Më: 26 gusht 2018 Në ora: 13:03
Trafiku urban

Në secilën palë zgjedhje lokale, të gjitha partitë politike dhe kandidatët e tyre për kryetar, ndër premtimet kryesore kanë edhe rregullimin e trafikut urban, por e gjitha mbetet vetëm premtim.

Kjo për faktin se qytetarët vazhdojnë të përballen me pritje të gjata nëpër stacionet e autobusëve urban. Madje, ankesa, qytetarët kanë edhe për stacionet, meqë ato nuk janë të rregulluara dhe nuk kanë kabina të mira në të cilat mund të presin autobusin e linjës së tyre, në kohë me shi dhe diell.

Edhe në mandatin e dytë, Shpend Ahmeti premtimin kryesor e pati pikërisht trafikun urban, ani pse qysh në vitin 2013, kishte premtuar se për mandatin e parë do ta rregullonte atë.

Mirëpo, përveç sjelljes me shumë mund të dhjetëra autobusëve të rinj dhe lirimit të disa linjave për pensionist, qytetarët ende presin gjatë. Ndonëse, për linjën 4, qytetarët shprehen më të kënaqur, meqë nuk ka vonesa të shumta.

Qytetarja Shukrie Gashi, në një prononcim për KosovaPress ka thënë se një stacion ideal do të ishte me kabina të mira, të cilat ofrojnë kushte për qëndrimin e qytetarëve gjatë pritjes së autobusit.

Gashi: Autobusët duhet të jenë më të rregullt

“Një stacion ideal me tenda. Normal edhe autobusët me qenë pak më të rregullt, pak më shpejt. Mos me prit njerëzit kështu. Mandej po detyrohen me i marrë edhe taksitë e vogla”, tha ajo.

Pak më ndryshe mendon qytetari Salih Seidaj, i cili edhe pse udhëton rrallë me trafikun urban, thotë se linja 4 i plotëson nevojat e qytetarëve për udhëtim.

Seidaj: Linja 4 është shumë e mirë

“Kam parë që është shumë bukur. Do të thotë 3-4 herë që kam udhëtuar, 5-6 minuta me pritë dhe vjen. Kjo linja për Kodër të Diellit dhe për Gërmi është shumë e mirë”, tha ai.

Por se ka vend për përmirësime thotë qytetari Muhamet Tashevci, i cili i jep vërejtjet e veta.

Ndërkaq, sa përket të autobusëve të ri, ai thotë se në këtë çështje ka pasur neglizhencë.

Tashevci: Ka vend për përmirësime

“Unë për linjën që udhëtoj pjesërisht jam i kënaqur. Sa i përket orarit, deri në orën 9 të mbrëmjes është i mirë, mbas 21-ve ka pak vonesa, por ka probleme të tjera. Sa jemi të kënaqur me vozitjen. Disa vozitin qysh t’i teket. Nuk ka disiplinë, nuk ka vozitje të rehatshme. Niset me hov, ndalet me hov, ndalet kudo, e konsideron pronë të veten atë. Pse me u çelë kudo dera e autobusit nëse matanë semaforit e ka stacionin”, u shpreh ai.

Mirëpo, ditë më parë zyrtarët e Komunës së Prishtinës, deklaruan se janë në rrugë e sipër të rregullimit të trafikut urban, duke e përfshirë edhe atë privat.

Drejtori për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, Genc Bashota, ka thënë se  fokusimi i disa operatorëve tek disa linja ku ka më shumë udhëtarë po ndikon që në disa stacione të mos ketë linja të rregullta të autobusëve.

Bashota: Vitin tjetër do të rregullohet edhe çështja e operatorëve privat

“Deri tash që po thoni iu ka pas vonesa po edhe kryesisht janë të stërmbushura disa linja ku ka më shumë profitabilitet ekonomik, për arsye se aty ka qytetarë që frekuentojnë, dhe askush s’don me i marrë linjat ku ka nevojë por që nuk ka përfitim. Prej vitit tjetër do të rregullohet edhe çështja e operatorëve privat sepse sipas konceptit që e kemi, prapë po e përmendi BERZH-in që e kemi të nënshkruar, 160 autobusë i nevojiten qytetit për me u mbyll transporti publik. 80 do të jenë të trafikut urban, siç e dini 51 janë të rinjtë duhet edhe ato me i rritë me 30 të ri, dhe 80 do të jenë për operatorët privat. Do të thotë tregu do të ndahet 50-50. Me ç’rast operatorët privat do të detyrohen me ngritë kualitetin e flotës së tyre, autobusët do të duhet të jenë euro 5 e sipër”, tha ai.

Kryeshefi ekzekutiv i NP “Trafiku urban” ka thënë  se janë në dijeni të vonesave porse ka shtuar se bllokadat në trafik janë ato që nuk lejojnë autobusët të zhvillojnë shpejtësinë e paraparë, për t’u arritur orari i qarkullimit. “Është e vërtetë se kemi pasur vonesa gjatë muajit gusht, por kjo ka ndodhur për shkak të ngarkesës në trafik. Kjo është e padëshirueshme dhe e dëmshme edhe për ne sepse na rriten shpenzimet e operativës, por edhe po dalim keq ndaj qytetarëve”, ka thënë ai.

Ndërsa Bashota ka deklaruar se janë duke rregulluar edhe punën e orareve të autobusëve, e që më pas t’i vendosin pranë kabinave të stacioneve në kryeqytet.

Bashota: Jemi në proces të rregullimit të orareve

“Jemi në proces edhe të rregullimit të orareve. Me plan të mobilitetit tash do të ndryshojnë edhe linjat. Ne që jemi rritur si fëmijë e dimë se ka qenë 1-shi, 2-shi, 3-shi 4-shi. Qyteti ka ndërruar, do të thotë ka nevoja tjera. Është bërë shënimi i linjave të reja, do të thotë do të ndërrojnë totalisht karshi kërkesave të qytetarëve dhe paralelisht do t’i rregullojmë këto shënime”, ka thënë ai.

Ndërsa zyrtarë të komunës së Prishtinës, kanë deklaruar disa herë se janë kryer të gjitha procedurat për autobusët e ri, porse kotingjenti i dytë nuk ka arritur ende, përkundër asaj se kryetari, Shpend Ahmeti kishte deklaruar se autobusët e ri do të vijnë gjatë verës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...