Komuna e Prishtinës planifikon shesh të ri por s’ka plan për kolonat

Prishtina

Komuna e Prishtinës planifikon shesh të ri por s’ka plan për kolonat

Më: 27 tetor 2018 Në ora: 13:15
Pamje nga Prishtina

Kryeqytetit së shpejti pritet t’i shtohet edhe një shesh i ri, i cili po parashihet të bëhet nga hotel “Grandi” deri tek “Katedralja”, por mbyllja për qarkullim të automjeteve e rrugës e cila mban emrin” Xhorxh Bush”, po shihet si vendim i gabuar i cili do ta shtojë edhe më shumë tollovinë në trafik.

Ndonëse testimet për të parë ndikimin e mbylljes së kësaj rruge në trafikun rrugor kanë filluar kohë më parë, komuna e Prishtinës ende nuk ka plan konkret se kur do nisin punimet dhe si do duket ky shesh.

Zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri për KosovaPress ka thënë se testimet do bëhen edhe gjatë ditëve të punës, ndërsa, ky zgjerim i sheshit do pasurohet edhe me hapësira rekreative.

Tahiri: Po bëjmë testime se si ky shesh do ndikoj në trafik

“Ne javë më parë e kemi testuar një të diel duke e bllokuar në mënyrë që ta shohim se a do kemi probleme në trafik apo jo, dhe atë ditë ka shkuar shumë mirë. Përndryshe do vazhdojmë ta testojmë edhe në të diela dhe të shtune të tjera, ashtu që ta kemi më të qartë se si do jetë ndikimi i atij sheshi në trafikun rrugor në Prishtinë. Është e rëndësishme të theksohet se komuna ka paraparë që përveç zgjatjes së sheshit qendror deri tek semaforët, katedralja në atë pjesë të ketë edhe hapësira të vogla rekreative”,  ka deklaruar Tahiri.

Por njohësi i çështjeve të trafikut rrugor, Muhamed Krasniqi ka këshilluar që fillimisht të bëhet një planifikim i duhur për qarkullimin e automjeteve, sepse bllokimi i kësaj rruge mund të shkaktojë vështirësi të mëdha në trafik.

Sipas tij, me qëllim që testimet për mbylljen e rrugës “Xhorxh Bush”, të tregojnë efektin real, ato duhet të bëhen gjatë ditëve kur ka fluks më të madh të automjeteve.

Krasniqi:Për këtë shëtitore duhet të bëhet një plan për qarkullimin e automjeteve

“Zgjerimi i kësaj shëtitore të qytetit duhet paraprakisht të bëhet një plan, një analizë e thuktë e qarkullimit dhe lëvizjes të automjeteve. Qyteti i Prishtinës edhe ashtu është i stërmbushur dhe i stërngarkuar dhe ka një fluks të automjeteve pothuajse në të gjithat periudhat kohore brenda ditëve të punës, dhe krijimi dhe zgjerimi i sheshit normalisht do krijoj vështirësi të mëdha në qarkullimin e automjeteve ...Para fillimit të punimeve apo para ndalesës së automjeteve duhet të krijohen zgjidhje alternative dhe duhet të krijohet një plan i saktë dhe i bazuar duhet të analizohen rrugët ekzistuese, udhëkryqet ekzistuese dhe hapësirat tjera ekzistuese ku do të mund të bëhej dhe të orientohej ky qarkullim i automjeteve”, u shpreh Krasniqi.

Eksperti i trafikut rrugor po ashtu thotë se është tejet e rëndësishme që para fillimit të ndërtimit të këtij sheshi të parashihen edhe lëvizjet për rastet emergjente.

Se zgjerimi i sheshit përmes rrugës “Xhorxh Bush”, do shkaktojë tollovi në trafik e thotë edhe asamblistja e Kuvendit komunal të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Fiknete Bejta.

Bejta për KosovaPress ka thënë se për këtë vendim komuna nuk ka marrë mendimin e opozitës, pasi që një vendim i tillë nuk ka ardhur fare në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Bejta: Ndërtimi i këtij sheshi mund të shkaktoj edhe më shumë bllokada në trafikun e Prishtinës

“Si asamblist të LDK-së këtë lajm e kemi marrë vesh prej mediave sepse në Kuvend nuk ka ardhur një vendim i tillë, nuk është diskutuar, nuk jemi të informuar, mënyra se si është prezantuar në publik edhe ky vendim mendoj që është i ngutshëm, nuk ka pasur ndonjë analizë paraprake. Vetë rruga që paraqet një arterie kryesore të qytetit edhe mund të ndikoj në bllokimin e më tutjemë të qytetit. Mendoj që është e pa menduar mirë dhe komuna nuk ka prezantuar ndonjë alternativ për zhbllokim të rrugës nëse mbyllet ajo”, ka thënë Bejta.

Lidhur me zgjerimin e shëtitores së kryeqytetit deri tek Katedralja, qytetarët kanë mendime të ndryshme.

Iniciativën për zgjerimin e sheshit e ka konsideruar si krejtësisht të panevojshme, Mirsad Morina, i cili për KosovaPress ka thënë se nëse mbyllet kjo rrugë, do ketë telashe të shumta në trafik.

Ai ka edhe një këshillë për komunën e Prishtinës.

Morina: Nuk ka pas nevojë me u bë kjo rrugë shesh

“Ideja është shumë palidhje, nuk ka nevojë që me u bo shesh, këtu është zemra e qytetit, nëse mbyllet kjo arterie do të thotë krejtë qyteti bllokohet, më së pari duhet me bë zgjidhje tani me shikuar me bë edhe komuna po e shkon po e mbyllë rrugën të dielën, le të dal ta mbyllë gjatë punës prej orës 7 mëngjes deri ora 8 mbrëmje “, u shpreh ky kryeqytetas.

Qytetari Isuf Musliu ndonëse i gëzohet ndërtimit të këtij sheshi, ai si kërkesë ka që fillimisht të zgjidhet problemi i qarkullimit  i automjeteve përmes rrugëve alternative.

Musliu: Pa u bërë rrugët alternative nuk duhet të ndërtohet sheshi

“Si ide është e qëlluar, por jo me bë e sikur në rrugët tjera mos me u ndërtuar kurrë hiq edhe qytetarë mos me mund me ecë as me këmbë, as me automjete, ky është problemi se nuk i besoj komunës edhe idetë e mira kur i ka se nuk po i realizon...09’20 Me i ndërtuar rrugët periferike, pa i ndërtuar ato nuk bëhet fjalë për këtë me e bllokuar sepse bllokohet edhe njerëzit edhe këmbësorët edhe automjetet në qarkullim”, ka thënë ky banor.

Kthimin e rrugëve nga Katedralja deri tek hotel “Grand”, në shesh e ka mirëpritur Sahit Marashi, i cili tha se është mirë të ketë sa më shumë hapësira rekreative në kryeqytet.

Marashi: Ndërtimi i sheshit të ri i nevojshëm

Video

“Ka qenë e nevojshme..00:42 Probleme ashtu ashtu ka komunikacioni sa më shumë hapësira në këtë pjesë është aq më mirë edhe për pleq edhe për të rinj”, ka deklaruar Marashi.

Përveç tri shesheve ekzistuese që tani janë në Prishtinë, së fundmi në kryeqytet pas rinovimit për shfrytëzim u hap edhe sheshi “Adem Jashari”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat