Kërkohet që bileta mujore e autobusëve në Prishtinë të vlejë për të gjithë operatorët

Prishtina

Kërkohet që bileta mujore e autobusëve në Prishtinë të vlejë për të gjithë operatorët

Më: 28 tetor 2018 Në ora: 10:10
Ilustrim

Trafiku Urban në Prishtinë që nga janari i këtij viti u ka ofruar mundësi qytetarëve që përdorin autobusët si mjet transporti të pajisen me biletë mujore, mirëpo kjo biletë nuk vlen edhe për autobusët e operatorëve privat.

Qytetarët për të pasur një biletë mujore duhet të paguajnë shumën prej 14 euro, ndërsa nxënësit 12 euro dhe këtë biletë mund të shfrytëzojnë pa limit në linjat e Trafikut Urban. Megjithatë qytetarët kërkojnë që bileta të jetë gjithëpërfshirëse dhe të vlejë në të gjitha linjat.

Çdo ditë me autobusë udhëton për në punë qytetarja Selime Dermaku, e cila thotë se do të ishte shumë mirë që bileta mujore të vlej për të gjithë autobusët.

E pasi që nuk vlen për të gjithë autobusët, ajo thotë se nuk ka marrë ndonjëherë biletë mujore.

Dermaku: Çdo autobus e ka biletën e vet mujore

“Me pas një biletë një mujore është shumë më mirë, por çdo autobus e ka biletën e vet mujore. Për shembull unë e nxjerri për 7A në 7 nuk kam të drejt me hip, kështu nuk na konvenon me i marrë për çdo autobus biletat, nuk është kurrgjë e rregull”, është shprehur ajo.

Njëjtë mendon edhe qytetarja tjetër NazmijeVeseli, e që thotë se nuk ka llogari të paguajë biletë mujore dhe kur shfrytëzon autobusët e operatorëve privat të paguajë përsëri biletë.

Veseli: Është mirë çdo qytetar me pas biletën një mujore

“Si qytetare mendoj që është mirë çdo qytetar me pas biletën një mujore në rast se e ka të caktuar një drejtim, po e zëmë këta që udhëtojnë për Hajvali, Breg i Diellit që e kanë çdo ditë. Pasi që kishte me qenë mirë edhe për shkak të kursimit tëtë hollave”, ka thënë ajo.

Edhe Sadije Hyseni, thotë se bileta mujore do të duhej të vlente për të gjithë autobusët që operojnë në kryeqytet.

Hyseni: Kish me qenë mirë për të gjithë bileta mujore

“Kish me qenë mirë si për nxënësit, si për punëtor me pas një biletë me udhëtua si në 1, si në 2, 3, 4”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër zyrtar të Trafikut Urban thonë se deri më tash nuk kanë pasur ndonjë bashkëpunim me operatorët privat që bileta mujore të vlejë edhe për ta.

Udhëheqësja e Divizionit të Kontabilitetit në Trafikun Urban, Shukrije Morina, ka thënë se bileta mujore vlen vetëm për linjat në të cilat operojnë autobusët të cilën janë të Trafikut Urban.

Morina: Bileta mujore shfrytëzohet vetëm për autobusët e Trafikut Urban

“Bileta mujore e integruar është një biletë mujore me të cilën qytetarët mund të pajisen dhe të shfrytëzojnë të gjitha linjat, të gjithë autobusët e Trafikut Urban pa kufizime. Mund të shfrytëzojnë linjën 1, linjën 3, 3 C, linjën 4, linjën 7 C si linjë e re në Trafikun Urban dhe linjën 15 e cila është lindja Prishtinë-Keqekollë. Bileta e integruar është një biletë që mund të pajisen qytetarët  nga momenti që ata e paguajnë e marrin atë biletë mund ta shfrytëzojnë një muaj dhe të frekuentojnë të gjithë autobusët e Trafikut Urban. Është një biletë me një çmim shumë të volitshëm, për nxënësit dhe studentët ajo është vetëm 12 euro, ndërsa për qytetarët tjerëështë 14 euro”, ka bërë të ditur ajo.

Ajo thotë se qytetarët janë shumë të interesuar për të pasur një biletë të tillë, megjithatë si Trafik Urban nuk kanë statistika se sa është numri i qytetarëve që janë pajisur me bileta të tilla.

Kurse, ajo bëri të ditur se ata që pajisen me një biletë mujore mund ta shfrytëzojnë atë sa herë të duan brenda një muaji.

Morina: Nuk ka limite, mund ta përdorë pa kufizime prej datës që ata e marrin

“Bileta e integruar vlen vetëm për autobusët e Trafikut Urban dhe linjat të cilat i kanë autobusët e Trafikut Urban. Të gjitha ato linja, të gjithë qytetarët në të gjithë autobusët e Trafikut Urban pa kufizime mund ta marrin këtë biletë dhe ta shfrytëzojnë...Nuk ka limite, mund ta përdorë pa kufizime prej datës që ata e marrin këtë biletë, pajisen me këtë biletë dhe periudha e shfrytëzimit është një muaj, për atë është edhe biletë mujore”, është shprehur ajo.

Në anën tjetër zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka bërë të ditur se kur të nënshkruhet marrëveshja e re me kompanitë private do të jetë edhe marrëveshja për biletën e integruar.

Tahiri: Bileta do jetë e integruar në gjithë Prishtinën

“Ne sapo kemi nënshkruar kontratën për shërbime publike me Trafikun Urban, kontratë e cila do të nënshkruhet edhe me kompanitë private varësisht ato që do t’i fitojnë linjat që janë të parapara në plan të mobilitetit dhe bileta e të gjithë autobusëve që do të operojnënë Prishtinë do të jetë e integruar. Kësisoj një biletë mujore që merret në trafikun urban do të vlejë për të gjitha linjat tjera”, është shprehur ai.

KosovaPress ka kontaktuar edhe me përfaqësues të operatorëve privat, por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin lidhur me këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat