Komuna e Prishtinës nënshkruan memorandum mirëkuptimi për shkollën “Gjin Gazulli”

Prishtina

Komuna e Prishtinës nënshkruan memorandum mirëkuptimi për shkollën “Gjin Gazulli”

Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 15:36
Pamje nga nënshkrimi i memorandumit

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se kryetari i kësaj komune Shpend Ahmeti, ka nënshkruar një memorandum të mirëkuptimit lidhur me projektin KSV/020 për Arsimin dhe Aftësimin Profesional(AAP).

Ky memorandum ka për qëllim përkrahjen e shkollës së mesme profesionale elektroteknike “Gjin Gazulli”, ndërsa mbështetet nga Luxembourg Aid & Development dhe zbatohet nga Lux Development dhe Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Aktivitetet kryesore që përfshinë ky projekt janë:

Ndryshimet në kornizën ligjore dhe strukturën qeverisëse të sektorit AAP-së;

Avancimi i institucioneve të AAP-së, ndërlidhja me kurrikulën e ofruar;

Zhvillimi, përmirësimi dhe ndërlidhja e sistemeve të informacionit, duke përfshirë edhe ato që dedikohen për sektorin e udhëzimit në karrierë.

Projekti ka për qëllim po ashtu transformimin e shkollës “Gjin Gazulli” në Qendër të Kompetencës (QK), të rinovohet objekti, të ketë pajisjet e nevojshme për sektorin e Informatikës dhe profilet tjera që zhvillohen në një Qendër të Karrierës.

“Të zhvillohen kualifikimet e reja në QK për TIK, duke përfshire standardet e profesionit dhe kurrikulën e bazuar në kompetenca dhe materiale mësimore; të ketë asistencë financiare dhe teknike për përzgjedhjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të stafit administrativ dhe mësimdhënësve; të mblidhen informata mbi tregun e punës; të zhvillohet një model i qëndrueshëm afatmesëm dhe afatgjatë i biznesit; të bëhet bashkëpunimi me industrinë, me shërbimet për këshillim në karrierë, e të ngjashme; të zhvillohet strategjia dhe plani i qëndrueshëm financiar; si dhe të zhvillohen brenda shkollës të gjitha proceset që kanë të bëjnë me akreditimin e standardeve të profesionit dhe kualifikimit”, thuhet në komunikatën e Komunës së Prishtinës.

Shuma e përgjithshme e këtij projekti kap koston 5 milionë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat