VV: Në Prishtinë po rritet numri i ndërtimeve pa leje

Prishtina

VV: Në Prishtinë po rritet numri i ndërtimeve pa leje

Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 12:41
Sali Zyba dhe Arbër Vokrri

(E plotësuar) - Komuna e Prishtinës ka mungesë të transparencës dhe krahas kësaj është rritur numri i ndërtimeve pa leje në kryeqytet.

Kështu deklaruan zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë një konference për media të mbajtur para objektit të komunës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba u shpreh se Shpend Ahmeti ka prishur koalicionin me qytetarët, pasi ka hequr dorë nga zbatimi i programit dhe votuesve të VV-së.

Sipas tij  mungesa e transparencës është treguesi i strehës së korrupsionit në komunën e Prishtinës.

Zyba: Shpend Ahmeti po heq dorë nga zbatimi i programit

“Shpend Ahmeti gradualisht po heq dorë nga zbatimi i programit, zotimeve para qytetarëve e votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të tij personalisht që i dhanë besimin për të qeverisur mirë. Shpendi, duke mos pranuar krahët që aq shumë i munguan në qeverisjen e kaluar, filloi të prishë koalicionin e vetëm që patëm ndërtuar atë me qytetarët. Me prishjen e këtij koalicioni, komuna e Prishtinës po kthehet prapë në institucion, nuk ka qasje qytetari, një institucion komplet jo transparent”, ka thënë Zyba.

Ndërsa, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Arbër Vokrri u shpreh se numri i ndërtimeve pa leje po rritet, dhe nga muaji maj nuk është bërë publike asnjë leje e dhënë nga komuna.

Sipas tij rimodeli i strukturës arkitekturale të ndërmarrjes “ Albi Mal” po bëhet  pa  leje të komunës së Prishtinës.

Vokrri tutje shtoi se një gjë e tillë do të mund t’u ikte inspektorëve të komunës, por jo edhe kreut të saj pasi ai çdo ditë e përshkon atë rrugë.

Vokrri: Rimodelimi i strukturës arkitekturale e Albi Mall pa  leje të komunës

“Sot po e përmendim vetëm një shembull atë të ndërtesës së investitorëve ‘Albi Commerc’, e cila njihet si Albi Mall në Veternik. Investitorët viteve të kaluara kanë bërë kërkesa dhe janë pajisur me leje për ndërtim dhe për rimodelim të objektit në anekset e tij, por sot e kemi fjalën jo për punës që janë kryer me leje por për rimodelimin e strukturës arkitekturale të një pjese të objektit pikërisht asaj që ndodhet përbri magjistares Prishtinë-Ferizaj dhe fjala është për punime të cilat janë të përmasave të tilla për të cilat ligji kërkon të lëshohet leja nga komuna, një leje e tillë në rastin konkret mungon”, ka thënë asamblisti Vokrri.

Me këtë veprim të qeverisjes aktuale të komunës së Prishtinës, ai tha se po prishet një prej premtimeve më të mëdha që Lëvizja Vetëvendosje pati për Prishtinën.

Vokrri iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Prishtinës që të raportojnë sa më shumë për ndërtimet pa leje në kryeqytet./

VV: Ahmeti gjatë këtij mandati po heq dorë nga programi dhe votuesit

Komuna e Prishtinës ka mungesë të transparencës, kanë thënë sot zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë një konference për media që e kanë mbajtur para objektit të komunës së Prishtinës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba tha se ndryshimet e sjella në Prishtinë gjatë mandatit të parë të Shpend Ahmetit  kanë qenë të dukshme dhe sipas tij Shpend Ahmeti gjatë këtij mandati po heq dorë nga programi dhe nga votuesit.

Sipas tij me këtë qasje është zvogëluar transparenca ndaj qytetarëve. Kurse, Arbër Vokrri asamblist i VV në komunën e Prishtinës tha se tani në komunën e Prishtinës është rritur numri i ndërtimeve pa leje.

Sipas tij që nga muaji maj nuk është bërë publike asnjë leje ndërtimi. "Në komunën e Prishtinës po ndërtohet pa leje, po përmendim vetëm një shembull të investitorit ‘Albi Comerc’ për ndryshim pa leje. Ne jemi duke marr informata nga qytetarë për ndërtime pa leje në Prishtinë. Ne iu bëjmë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të raportojnë për raste të caktuara", tha Vokrri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat