“Unë/ty Dashuri në paketë”, edhe sivjet mbledh dhurata për fëmijët e varfër

Prishtina

“Unë/ty Dashuri në paketë”, edhe sivjet mbledh dhurata për fëmijët e varfër

Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 15:40
Foto ilustrim

Fondacioni Mute në bashkëpunim me komunën e Prishtinës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës ër vitin e tretë me radhë vazhdojnë aktivitetin “Unë/ty, Dashuri në paketë”, i cili ka për qëllim mbledhjen e dhuratave nga fëmijët e moshës 4-11 vjeçare dhe shpërndarjen e tyre tek fëmijët në nevojë.

Presidentja e fondacionit, Florie Bajoku thotë se falë partnerëve, miqve dhe nxënësve, në dy vitet e kaluara janë mbledhur 14 mijë dhurata, të cilat me ndihmën e FSK-së u janë shpërndarë fëmijëve në nevojë.

“Ky është një projekt sa humanitar, aq edhe edukativ. Fëmijët janë kuptimi dhe motivi i kësaj bote dhe ne duam që ata të rriten të edukuar, të marrin më të mirën nga shoqëria dhe ta ndajnë me të tjerët, përkatësisht t’ua dhurojnë një pjesë të tyre bashkëmoshatarëve që nuk i kanë të njëjtat mundësi si ata”, tha presidentja Bajoku.

“Të dhuroni për dikë që nuk e njihni do të thotë të jepni një pjesë të dashurisë suaj, të kujdesit tuaj dhe kjo nuk është pak. Bota duhet të funksionojë mbi parimin e dashurisë dhe dhembshurisë për njëri tjetrin”, shtoi ajo.

Edhe këtë vit projekti “Unë/ty, Dashuri në paketë”, do të realizohet në bashkëpunim me shkollat e komunës së Prishtinës, ndërsa shpërndarja e paketave do të bëhet me ndihmën e FSK-së.

Fondacioni Mute shpreson se numri i nxënësve  që do të përfshihen  këtë vit në këtë projekt  do të jetë akoma më i madh se sa në dy vitet e kaluara dhe falënderon nxënësit, prindërit, mësimdhënësit dhe të gjithë partnerët që përmes këtij projekti po bëhen shembull i mirë për shoqërinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat