Banorët e Kalabrisë në hall nga kundërmimi, komuna ia hedh fajin kompanive

Prishtina

Banorët e Kalabrisë në hall nga kundërmimi, komuna ia hedh fajin kompanive

Më: 24 nëntor 2018 Në ora: 10:47
Banorët e Kalabrisë në hall nga kundërmimi, komuna ia hedh fajin kompanive

Banorët e Kalabrisë (Emshirit) kanë pritur kot që t’u ndërtohet kolektori që u ishte premtuar nga kryetari Shpend Ahmeti.

Ahmeti gjatë fushatës zgjedhsore ka thënë se për gjashtë muaj do ta zgjedh këtë problem dhe banorët më nuk do të kenë probleme me ujëra të zeza.

Por  edhe pas një viti që janë mbajtur zgjedhjet dhe Ahmeti është zgjedhur kryetar gjendja vazhdon të jetë e njëjtë.

Banorët e kësaj lagje përballen me problemin që e kanë tash e dhjetë vjet,  rrjetin e  keq të kanalizimit dhe  kundërmimin. Tash së fundi, rrëshqitja e dheut ka bërë që rruga andej të  jetë mjaft e rrezikshme për ta.

Banorët që jetojnë në këtë lagje thonë se është e pamundur të jetohet nga kundërmimi që vjen nga kanalizimet.

Afrim Balaj,  banor i kësaj lagje gjendjen e konsideron si të rrezikshme. Ndërsa, thekson se askush nuk po merr masa, pavarësisht ankesave të tyre.

Balaj:Kemi problem me kundërmim dhe rrëshqitje të dheut

“Na spo mundemi as m’i hap dritaret e dhomave, as nuk mundemi me kalu kësajde qysh i ka hije, është diçka e pakuptueshme sa i përket anës së komunës. Fillim zgjedhjeve të vititt kalum ka fillu me to, kjo këtu ka mbetur kështu si gërmadh, tash le që kemi probleme me kundërmimin, por kemi probleme dhe me reshqitje të dheut, kemi probleme të ndryshme që nuk po dimë as ku mu drejtu që me bo këtë zgjidhje”, tha ai.

Njëjtë shprehet edhe Drita Dushi-Parduzi, e cila thotë se tash edhe ka frikë nga ndonjë epidemi pasi që siç tha ajo ka zvarranikë të shumtë.

Dushi-Parduzi: Nuk po dimë çka të bëjmë, as ku të ankohemi as kujt t’i drejtohemi

“ Edhe vet jam prind dhe kam frikë për fëmijët e mi që duhet të kalojnë të shkojnë në shkollë dhe të kthehet po të njëjtën rrugë. Të merr jo vetëm erën e keqe, po të njëjtën kohë dhe të merr ndonjë sëmundje. Unë çuditëm qysh komuna nuk e merr parasysh duke numëruar sa banorë dhe sa ndërtesa numëron kjo lagje…kjo ka fillu të ndërtohet më duket para dy viteve, siç po e shihni edhe vet janë ndërprerë punimet, dhe askush nuk merr masa.. ne banorët nuk e dim as çka të bëjmë, a ku të ankohemi, as kujt  t’i drejtohemi”, tha Dushi-Parduzi.

Vërejtje për këtë kolektor ka edhe nga instituti ‘INPO’, i cili e monitoron komunën e Prishtinës.

 Qëndrim Arifi, ka thënë  se komuna ka dështuar në këtë projekt  për shkak të keqplanifikimit. Sipas tij, nuk duhet të fillohet projekti kur nuk janë të zgjidhura çështjet pronësore.

Sipas monitoruesit të komunës, vlera e këtij projekti do të rritet, si pasojë e dëmeve që janë shkaktuar nga  reshjet e shiut dhe rrëshqitja e dheut.

Arifi: Vlera e këtij projekti do të rritet

 “Komuna do të pasojë vazhdimisht dëme të pariparueshme… do të jetë e pamundur të vazhdohet me këtë projekt për shkak se aty do të armotizohet vazhdimisht ajo pjesë. Kemi vërshime të vazhdueshme dhe kundërmim të erës të cilët qytetarët e kanë të vështirë dhe të jetojnë në atë pjesë. Ndërsa, kompania dhe komuna nuk bëjnë asnjë ditë pune në atë pjesë, do të thotë kanë pushuar punimet. Sa i përket asaj se a duhet të ritenderohet kjo pjesë, ndoshta do të kishte qenë më mirë të ritenderohet se të vazhdohet me këtë gjendje, sepse vazhdimisht aty ki dëmtime, një gjë është e saktë se vlera e këtij projekti edhe pse është planifiku 1 milionë e 700 mijë euro,  do të rritet sepse punimet që janë kryer sado simbolike që janë ato janë armotizuar për shkak të reshjeve, vërshimeve të ndryshme”, tha Arifi.

Komuna e Prishtinës, arsyetohet se zvarritja e rregullimit të kolektorit për ujëra të zeza në lagjen Kalabria ka ndodhur pasi që kanë dal probleme  pronësore. Megjithëkëtë, ai shtoi se një pjesë e trasesë ka qenë pronë publike  dhe kompanitë kanë mundur të punojmë.

Për këtë Tahirit tha se  kompanitë janë dërguar në procedurë për shkëputje të kontratës.

Tahiri: Në lagjen Kalabaria janë dy probleme kryesore

“Në ‘Kalabri’ i kemi dy probleme kryesore, e para që është problem më i thellë janë problemet pronësore me banorët që janë tek pjesa e kolektorit dhe problem tjetër me kompanitë që po i kryejnë punimet për shkak se të paktën në pjesën ku prona është komunale ata kanë mundur që t’i përfundojnë punimet deri tash, ne për këtë çështje i kemi bërë presion vazhdimisht kompanisë, mandje dhe e kemi dërguar në procedur për shkëputje të kontratës”, tha Tahiri.

Sa i përket pronave, Tahiri tha se tani ka mbetur vetëm edhe një familje me të cilën do të diskutohet për shpronësim.

Tahiri: E rëndësishme për ne është që punimet të vazhdojnë

“Ka pasur tepër shumë probleme me shpronësim, pjesa dërrmuese e tyre janë zgjidhur tash kemi mbetur tek një familje dhe jemi duke negociuar me ta dhe duke i parë gjitha variantet se si të fillojmë atje më shpejtë me punimet, për shkak se për neve është shumë e rëndësi që ai kolektor të vazhdohet dhe të përfundohet duke e pasur parasysh që nëse vazhdon kështu mund të shkaktoj rrezik dhe për banorët e lagjes”, tha zëdhënësi Tahiri.

KP ka kontaktuar me kompanitë e kontraktuara, “Jehona Shpk”, “Beni Construction”, dhe “NNP “Arhiko.ing”, mirëpo me gjithë premtimin se do të prononcohen të njëjtat kanë refuzuar ta bëjnë një gjë të tillë.

Rregullimi i shtratit të lumit “Mat” ka nisur së ndërtuari në tetor të vitit 2016. Fillimisht punimet patën nisur në lagjen “Mati 1”, për të vazhduar më poshtë ku ka shtratin ky lum në lagjen “Kalabria”. Në këtë lagje punimet kanë nisur më 3 mars të vitit 2017. Afati i punimeve ka qenë për 180 ditë pune./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat