Kulla e Isa Boletinit vendi ideal për shqiptarët për të festuar 28 Nëntorin

Mitrovica

Kulla e Isa Boletinit vendi ideal për shqiptarët për të festuar 28 Nëntorin

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 14:00
Kulla e Isa Boletinit

Fshati Boletin i Mitrovicës, sot kishte marrë ngjyrat kuq e zi. Edhe kulla e Isa Boletinit sot kishte më shumë se kurrë vizitorë.

Qytetarë të shumtë, nga të gjitha trojet shqiptare kishin zgjedhur kullën e heroit kombëtar Isa Boletinit për të festuar 28 nëntorin, festën e flamurit kombëtar.

Nga Vlora për  të festuar 28 nëntorin në Boletin kishte ardhur Ylli Elezi, që për të ishte hera e parë që po e vizitonte kullën e heroit Isa Boletini.

Ai thotë se për të ka qenë ëndërr që të vizitonte këtë kullë, e që shprehet se më në fund ëndrra iu bë realitet.

Elezi: Figura e Isa Boletinit një figurë që na frymëzon për patriotizëm

"Figura e Isa Boletinit për të gjithë shqiptarët edhe për mua është një figurë e lartë që na frymëzon për patriotizëm. Sidomos me veprimin që bëri në Londër me Ismajl Qemalin me revolet në brez, një të fshehur dhe një për ta dorëzuar, për të treguar se ne shqiptarët nuk e dorëzojmë armën kaq lehtë nëse doni të na ofendoni", tha ai.

Përveç nga Vlora, vizitor pati edhe nga Kërçova. Ku nga Kërçova në Boletin kishte ardhur Hamit Mehmeti, i cili thotë se festa e flamurit merr kuptim vetëm kur festohet në Kullën e Isa Boletinit.

Mehmeti: Erdhëm këtu të shprehim nderimet tona për gjeneralin Isa Boletini

"Kulla e Isa Boletinit dhe në mënyrë të veçantë gjenerali i madh Isa Boletini luajtën rol të jashtëzakonshëm, jo vetëm për ato luftërat që u zhvilluan para se të bëhej shpallja, por edhe për mbrojtjen e asaj Shqipërie pas shpalljes së pavarësisë. Ashtu që unë me disa shok e miq nga Kërçova e Tetova, nga Prishtina dhe Mitrovica me gëzim shumë të madh erdhëm këtu të shprehim nderimet tona për gjeneralin Isa Boletini dhe bashkëluftëtarët e tij. Juve të gjithëve urime festa e flamurit dhe kthehuni mbarë, se ende kemi punë për të bërë", tha ai.

Festën e flamurit kishte zgjedhur ta festonte në Kullën e Isa Boletinit edhe Zymer Bajraktari, nga komuna e Skenderajt. Ai thotë se Kulla mbledh të gjithë ata që flasin shqip.

Bajraktari: Kjo ditë i bashkon shqiptarët nga ku flitet shqip

"Kjo ditë i bashkon shqiptarët nga ku flitet shqip, ku flitet shqip i bashkon po kjo kullë dhe Vlora heroike", u shpreh ai.

Një vizitor i rregullt në këtë Kullë thotë të jetë Hysen Ahmeti, i cili thotë se halla e babait të tij ka qenë nëna e heroit Isa Boletini.

Ai thotë se ndjehet shumë mirë që në një ditë si kjo kulla është e mbushur me vizitor, megjithatë ka shumë kritika për gjendjen e kullës.

Ahmeti: Kjo kullë është mjerim, nga ana e rregullimit, infrastrukturës është mjerim

“Kjo kullë është mjerim, nga ana e rregullimit, infrastrukturës është mjerim. Kulla kryesore është ende e rrënuar, kjo është e ndërtuar pas luftës, po nuk ka as libra, disa fotografi dhe familja e mban. Gazmendi, stërnipi i Isa Boletinit interesohet për këtë kullë... Pas Skënderbeut ka qenë atdhetari më i madhi për shqiptarizmin", u shpreh ai.

Kullën e Isa Boletinit,  sot e vizitoj edhe 7 vjeçarja Arlinda Haziri, e kishte ardhur në Kullë së bashku me familjen e saj. E dëshira e saj ishte që të recitonte një vjershë që e kishte mësuar për festat e nëntorit.

Haziri: Nëntori i kuq si gjaku, festa e madhe e shqiptarisë

"Nëntori i kuq si gjaku, festa e madhe e shqiptarisë, flamuri i ngritur lart lart, bajrak i pathyer shtigjeve të stuhisë. Shqiponjë që valëvitësh në çdo cep të atdheut ti je ngjyra e gjakut tim simboli i Skënderbeut. O nëntori i kuq si gjaku i Kastriotit krenar, në Krujën heroike valoj flamuri i parë. O nëntori i dytë i Ismail Qemalit në Vlorën madhështore, nëntori i Isa begut krenarisë kombëtare", thotë ajo në një pjesë të vjershës.

Sot për festën e 106 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Boletini nuk ishte vendi i vetëm ku u festua, pasi në të gjithë Kosovën pati aktivitete të shumta në nder të kësaj dite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat