Ky është personi që shtiu me armë në drejtim të policisë në Prishtinë

Prishtina

Ky është personi që shtiu me armë në drejtim të policisë në Prishtinë

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 20:30
Foto ilustrim

Arsim Elshani, 33-vjeç, mbrëmë është kapur në flagrancë nga Policia e Kosovës duke e kryer një vjedhje në rrugën “Rifat Burgjeviq” në lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë. Ai për të mos rënë në pranga të policisë kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të policit Avni Berisha.

Burimet e medias brenda Policisë së Kosovës kanë treguar se Elshani ka shtënë me revole në drejtim të zyrtarit policor, porse fatmirësisht nuk e ka qëlluar.

Ngjarja ndodhi të mërkurën, në orën 01:00 ndërsa menjëherë vendit iu përgjigjen të gjitha njësitet përkatëse policore.

“Duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe potencialisht të rrezikshëm për jetën e tyre, zyrtarët policor domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme të të dyshuarit si dhe për ta vënë të njëjtin nën kontroll”, ka thënë Flora Ahmeti, zyrtare për Informim në Policinë Rajonale të Prishtinës.

Sipas saj, përkundër shkrepjeve nuk raportohet për persona të plagosur nga arma e zjarrit përveç lëndimeve trupore që gjatë arrestimit të personit të dyshuar kanë marrë dy zyrtarë policor.

Të njëjtit kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme.

I dyshuari, Arsim Elshani, 33 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, pas arrestimit me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

Të njëjtit policia i ka sekuestruar edhe një revole, e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rastin në fjalë.

“Ndaj të dyshuarit po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme policore rreth këtij rasti, njëkohësisht është zgjeruar rrethi i hetimit edhe për disa raste të tjera për të cilat ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti mund të jetë i implikuar. Bëhet fjalë për një rast tentim vrasjeje, të ndodhur me datën 24.10.2018, rreth orës 02:00, ku i dyshuari ka shtënë në drejtim të një zyrtari policor, pasi që i njëjti është hasur në tentativë të kryerjes së veprës penal.

Gjithashtu edhe më datë 02.11.2018 rreth orës 20:00, në përpjekje për t’iu shmangur legjitimimit policor i njëjti ka shtënë në drejtim të zyrtarit policor, për të ikur më pas në drejtim të panjohur”, ka thënë Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat