Hiqen konstruksionet pa leje edhe në Shatërvan

Prizreni

Hiqen konstruksionet pa leje edhe në Shatërvan

Më: 21 janar 2019 Në ora: 16:11
Hiqen konstruksionet pa leje edhe në Shatërvan

Drejtoria e Inspektoriatit e Komunës së Prizrenit ka larguar sot konstruksionet metalike të vendosura jashtëligjshëm në Shatërvan.

Ky aksion ka nisur ditë më parë në pjesë të ndryshme të Qendrës Historike të Prizrenit, me qëllim të mbrojtjes së kësaj zone historike.

"Qëllimi i këtij aksioni është zbatimi i plotë i Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, ku për mbrojtjen e autenticitetit dhe integritetit të kësaj zone janë përcaktuar qartazi aktivitetet e kufizuara dhe të ndaluara, ku ndër të tjerash përfshihen edhe konstruksionet e këtilla të cilat nuk kanë leje nga organet përgjegjëse", thuhet në njoftimin e komunës.

Drejtoria e Inspektoriatit u kishte bërë thirrje bizneseve afariste që të largojnë këto konstruksione, por në mungesë të veprimit të tyre, këtë aksion e ka ndërmarrë vetë komuna.

Njëherësh, nga komuna e Prizrenit iu është bërë thirrje pronarëve të këtyre bizneseve që të tregojnë mirëkuptim dhe gatishmëri gjatë aksionit në fjalë.

Së fundmi KosovaPress ka raportuar për parregullsitë në Qendrën Historike të Prizrenit, me theks të veçantë te vendosja kaotike e reklamave në këtë zonë.

Rikujtojmë se Qendra Historike e Prizrenit përmban monumente të rëndësishme të Trashëgimisë Kulturore dhe është zonë e mbrojtur.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat