Xhemajli Berisha shpallet "Hero i Kosovës”

Prizreni

Xhemajli Berisha shpallet "Hero i Kosovës”

Më: 6 prill 2019 Në ora: 15:29
Pamje nga akademia përkujtimore

Nën patronatin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, për nder të 30-vjetorit të rënies në altarin e lirisë të dëshmorit të kombit, Xhemajli Berisha, në Prizren është mbajtur një akademi përkujtimore, me ç’rast presidenti i Kosovës e ka dekoruar dëshmorin me titullin "Hero i Kosovës".

Xhemajl Berisha ishte ndër veprimtarët e devotshëm të çështjes kombëtare, i cili me mërin e tij bëri epokë jo vetëm në Prizren por në të gjitha trojet shqiptare.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi tha se në rrugëtimin sypatrembur të djemve dhe vajzave të Kosovës, epoka e lëvizjes atdhetare nga sundimi serbo-sllav me brezin e veprimtarit Adem Demaçi, e hapi epokën e re të luftës së popullit të Kosovës për çlirim dhe pikërisht në këtë kohë ishte edhe i riu Xhemajli Berisha.

Gashi: Në epokën e Xhemaili Berishës i gjemë gjurmët për daljen në skenë të UÇK-së

“Edhe në epokën e lavdishme të Xhemaili Berishës dhe brezit të tij, i gjemë gjurmët, paralajmërimet e historisë për daljen në skenë të lëvizjes sonë kombëtare, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa lëvizjen atdhetare për çlirimin e Kosovës, pjesë e së cilës ishte edhe dëshmori Xhemaili Berisha, nuk do të kishte Ushtri Çlirimtare të Kosovës, nuk do të kishte çlirim të Kosovës dhe rrjedhimisht nuk do të kishte as shtet të Kosovës“, tha ai.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytahir Haskuka tha se dëshmorët duhet të jenë udhrrëfyes për neve dhe gjeneratat e reja.

Haskuka: Xhemaili Berisha nuk i dëgjoi ata që thonin se nuk bën të bënim rezistencë

“Xhemaili Berisha nuk i dëgjoi ata që thonin se nuk bën të bënim rezistencë, ai rezistoi dhe për këtë ai e dha jetën, pra në kohën kur shumë nuk guxonin të flitnin për rrezikun që i kanosej Kosovës, Xhemaili Berisha kishte guximin jo vetëm të fliste por edhe t’i rezistonte shtetit serb“, ka thënë ai.

Duke portretizuar figurën e dëshmorit, profesori Mehmet Hajrizi tha se Xhemailiu hyri në mesin e dëshmorëve që u bën shembull frymëzimi për dëshmorët e UÇK-së.

Hajrizi: Xhamailiu nuk mund të shikonte me indiferencë fatin prej robit të popullit të Kosovës

“I edukuar në një familje atdhedashëse dhe bashkohës i shumë veprimtarëve të lirisë së atdheut, lexues i pasionuar dhe njohës i historisë së kombit të vet, Xhamailiu nuk mund të shikonte anash me indiferencë fatin prej robit të popullit të Kosovës së tij të dashur. Ai morri pjesë aktive në shumë demonstrata, duke filluar nga ajo e 11 marsit të vitit 1981 për të aderuar pastaj edhe në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës“, tha Hajrizi.

Smail Syla, këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, tha se sot po nderohet fryma Demaçiane.

Syla: Sistemi i vlerave është duke rënë në vend të vet

“Vet fakti që brenda 1 muaji ne nderojmë dy kategori të personaliteteve të ndryshme, tregon se sistemi i vlerave është duke rënë në vend të vet“, ka thënë ai.

Nexhmedin Berisha, vëllau i Xhemajli Berishës, tha se dëshmorët me veprat e tyre lan gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë.

Berisha: Po na bëni krenar

“Dhimbja tek ne është prezentë gjithmonë, mirëpo jemi të nderuar që qe 30 vite nderoni dëshmorin, heroin Xhemajli Berisha dhe na bëni të ndihemi krenar si familje. Për dëshmorët nuk është e nevojshme të flasim shumë, pasi ata me veprat e tyre lan gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë“, tha ai.

Në fund familjes së dëshmorit Xhemaili Berisha iu dha urdhri ‘Heroi i Kosovës”, i ndarë nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Xhemajl Berisha ka lindur më 17 prill 1958 në Brestovc të Rahovecit.  Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prizren dhe diplomoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Atë e torturuan në burgjet serbe më 6 prill, pastaj duke e hedhur nga dritarja në mesditë. Më pas trupin e dërgojnë në spital duke kërkuar nga mjeku Halil Berisha, që të nënshkruaj për vetëvrasjen e tij. Berisha refuzoi dhe është gjetur i vrarë pas tre muajve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat