Ka disa javë që banorët e fshatrave të Prizrenit janë alarmuar nga një Ari i Murrmë, i cili po ua rrezikon jetën atyre dhe po ua mbyt bagëtitë. Deri më tani, askush s’po mundet ta gjejë lokacionin e tij. E, për këtë ndihmë ka ofruar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.
Ariu i Prizrenit është bërë një ndër temat kryesore në vendin tonë.
Por, si duket në rajonin e Prizrenit nuk është vetëm një ari, por ka disa të tillë, të cilët shafqen herë pas here në fshatrat e kësaj komune.
Periskopi ka kontaktuar me Komunën e Prizrenit të cilët kanë deklaruar se në Lybeqevë është shfaqur një tjetër ari.
“Në fshatin Malësi e Vërrinit (Lybeqevë) në pjesën e kundër të fshatit Pouskë, ishte paraqitur një ari i ri, saktësisht më 08.05.2019 rreth orës 9:20”, thuhet në përgjigjet e lëshuar nga Komuna e Prizrenit.
Ndërsa, Komuna e Prizrenit, thotë se ariu i murrmë nuk është shafqur deri më tani.
“Gjatë këtyre ditëve në bazë të ekipeve kujdestare të pylltarisë, ariu i murrmë nuk është shfaqur”, kanë deklaruar.
Ndër të tjera, Inspektorati i Agjencionit të Pyjeve, ka dhënë autorizim për vrasjen e këtij ariu, dhe një gjë e tillë pritet të bëhet brenda 15 ditëve.
Nërkohë, për tu marrë me këtë çështje, tanimë është ftuar për të ardhur në Kosovë edhe një ekspert kroat.