Haskuka shpreson që të punojnë bashkërisht për një Kosovë të zhvilluar dhe të drejtë - Bota Sot
Haskuka shpreson që të punojnë bashkërisht për një Kosovë të zhvilluar dhe të drejtë

Prizreni

Haskuka shpreson që të punojnë bashkërisht për një Kosovë të zhvilluar dhe të drejtë

Më: 12 qershor 2019 Në ora: 17:20
Mytaher Haskuka

Për nder të 12 Qershorit të Ditës së Çlirimit, dhe 141 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kuvendi Komunal i Prizrenit ka mbajtur një akademi solemne, me ç’rast janë nderuar me çmimin “ Remzi Ademaj”, 13 dëshmorë si dhe është ndarë çmimi “ Nderi i qytetit”, kushtuar mjekut dëshmor, Halil Berisha.

Në fjalën e tij të rastit kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se sot po kujtojnë të gjithë ata që kontribuuan për çlirimin e Kosovës, në veçanti të ish presidentit amerikan, Bill Clinton të cilin tha se i doli në krahë Kosovës për të shpëtuar nga gjenocidi serb.

Sipas tij duhet të punohet më shumë për një të ardhme më të mirë sidomos për gjeneratat e reja. 

Haskuka: Jap krenar që si kryetar mund të jap kontribut për qytetin historik dhe zhvillimin e Prizrenit

“Si kryetar i Prizrenit ndihem krenar dhe kam nder që të jap kontributin jo vetëm si qytet historik, në zhvillimin e Prizrenit por edhe në kontributin e saj në zhvillimin e paqes. Unë edhe sot uroj që të punojmë bashkë që të punojmë mirë që të punojmë më shumë për publiken dhe për shtetin sesa për personalen dhe privaten, uroj të punojmë bashkë për një Kosovë të drejtë ku shteti zhvillimor është qëllimi jonë kur të gjithë do të jetojnë me dinjitet dhe me nder dhe me së shumti për të rinjtë tanë të cilët do kontribuojnë në zhvillimin e vendit”, tha Haskuka.

Fjalë rasti pati edhe shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Adem Shabanaj tha se pikënisja për çlirim të Kosovës është tek Lidhja e Prizrenit, tek familja Jashari.

Prandaj sipas tij gjithmonë duhet nderuar ata që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Shabanaj: Sot edhe Kosova shënon ditën e saj të çlirimit

“Sot shënojmë ditën tonë lokale të çlirimit të Prizrenit, por Kosova në këtë ditë shënon çlirimin e vetë nga zgjedha e Serbisë fal dëshmorëve dhe përpjekjeve shumë vjeçare e kombit për liri dhe mëvetësi kombëtare”,tha ai.

Në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haziz Hoda tha se gjithmonë si popull do u jenë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-së dhe Bashkimit Evropian për çlirimin e Kosovës.

Ai thotë se përkundër pritshmërive të tyre sot janë të dëshpëruar dhe të zhgënjyer për versionet e ndryshme që po jepen për projektin e shtetit të Kosovës.

Hoda: Shpesh zhgënjehemi për variantet që jepet në shtetin tonë

“Sot të gjithë ne festojmë dhe nuk harrojmë të shprehim mirënjohjen e përhershme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-në dhe vendet anëtare të Bashkësisë Evropiane që e përcollën në hap kauzën tonë për çlirimin e Kosovës. Por edhe pse ne ndryshe menduam lirin dhe çlirimin e shtetit, ne tani shpesh zhgënjehemi, shpesh dëshpërohemi sepse na krijohet përshtypja se më të artikuluara ishin zërat e para 141 viteve në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ndërsa sot brenda ditës dëgjojmë variante për projektin e shtetit tonë, megjithatë ne sot festojmë dhe e duam shtetin tonë , e duam Prizrenin  ashtu siç janë me shpresën për një të ardhme më të mir”, tha Hoda.

Simir Krasniqi shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës tha se 20 vite më parë u hap një kapitull i ri për Kosovën, e cila do të krijonte mundësi për ndërtim të jetës dhe mirëqenies në vendin tonë.

Krasniqi:  12 Qershor 1999 u hap një kapitull i ri ku mund të shfaqeshin aftësitë tona  krijuese për ndërtim të shtetit

“Sot jemi ndër festat më të mëdha të Prizrenit dhe të Kosovës , 12 qershori i vitit 1999, dita e çlirimit nga arsyeja e robërisë së gjatë dhe të rëndë 20 vite më parë iu dha kushti i  fundit i pushtuesit serb mbi shqiptarët, një epokë vuajtjesh të parapara një epokë mizorish të panumrëta që kishin ushtruar me shekuj mbi popullin tonë, u hap një kaptinë e re e epokës së lirisë ku do të mund të shfaqej lirshëm mundësitë dhe aftësitë tona krijuese për ndërtimin e jetës dhe mirëqenies së fëmijëve tanë“ u shpreh ai.

Në këtë ceremoni solemne të pranishëm ishin edhe familjar të dëshmorëve, e përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...