Detaje të reja nga vrasja në Prizren: Burri vrau gruan pak ditë pasi erdhën për pushime në Kosovë

Prizreni

Detaje të reja nga vrasja në Prizren: Burri vrau gruan pak ditë pasi erdhën për pushime në Kosovë

Më: 7 gusht 2019 Në ora: 09:45
Foto ilustrim

Ka pak ditë që nga Zvicra, B.V., 61 vjeç, e gruaja e tij, tani e ndjerë, A.V., 20 vjet më e re se dorasi, kishin ardhur për pushime në Kosovë. Por problemet e çiftit bënë që 61-vjeçari, të enjten në mbrëmje, t’ia marrë jetën me armë zjarri gruas së tij, 42-vjeçare, vetëm pak metra larg shtëpisë së tyre, në lagjen “Hysni Morina” të Prizrenit. E gjithë ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 23:00 të mbrëmjes. I dyshuari ende nuk është intervistuar. Ndërkohë policia po pret që ta marrë në pyetje edhe një dëshmitar i cili e ka parë të gjithë ngjarjen.

A.V., 42 vjeçe, u vra në mënyrë tragjike të martën në mbrëmje. I dyshuari kryesor për këtë rast po besohet të jetë burri i saj B.V., i cili sipas policisë, është i lindur në vitin 1958, që i bie t’i ketë 61 vjet. Sipas informacioneve që express ka siguruar brenda organeve të hetuesisë kosovare, çifti kishte ditë që nga Zvicra kishte ardhur për pushime në Kosovë.

Por një zënkë e tyre bëri që 61-vjeçari të shkrepë me armë zjarri plumbat e së cilës dyshohet se ia morën jetën në vendin e ngjarjes 42-vjeçares, A.V., mbrëmë pas orës 23:00 në lagjen “Hysni Morina” të Prizrenit.

Në vendin e ngjarjes policia gjeti 15 gëzhoja të cilat u shkrepën nga revolja me të cilën dyshohet të ketë ndodhur e gjithë ngjarja e rëndë.

Ndërkohë rastin kanë konfirmuar edhe zyrtarë nga Policia e Kosovës. Këta të fundit thanë se me datë 06 gusht 2019, pas orës 23:00, në rrugën “Hysni Morina” në Prizren, fillimisht qendra e thirrjeve në Policinë e Kosovës ka pranuar një informacion dhe është raportuar për një plagosje.

“Pas intervenimit nga policia dhe emergjenca e Prizrenit të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes është konstatuar për lëndimin e një viktime femër për të cilën mjeku ka konstatuar vdekjen si pasojë e lëndimit nga arma e zjarrit”, kanë deklaruar zyrtarë nga Policia e Kosovës.

Ekipet policore të hetimeve dhe Krim-teknika në vendin e ngjarjes kanë gjetur viktimën, si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm.

Me vendim të prokurorit, është bastisur shtëpia e personit të dyshuar dhe policia ka arritur të gjejë armën e tipit revole ZIG M1, të kalibrit 9 mm, si dhe 42 fishekë të kësaj arme. Dyshohet se me të njëjtën armë i dyshuari ka kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë”. I dyshimti dhe viktima kanë qenë bashkëshortë.

Në këtë rast është ndaluar në afat prej 48 orësh personi i dyshimtë B.V., i lindur në vitin 1958.

Me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në IML për procedura të mëtutjeshme hetimore.

Me rastin po merren njësitë e hetimeve rajonale në Prizren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat