Autopsia tregon si u vra Armenda Aliu, autorit i vazhdohet paraburgimi

Prizreni

Autopsia tregon si u vra Armenda Aliu, autorit i vazhdohet paraburgimi

Më: 5 shtator 2019 Në ora: 16:48
Armenda Aliu, gjatë muajit të kaluar në njërën nga lagjet në Prizren, u vra në mënyrë mizore nga burri i saj, Bajram Velija

Obduksioni i kryer në trupin e Armenda Aliut, e cila gjatë muajit të kaluar në njërën nga lagjet në Prizren, u vra në mënyrë mizore nga burri i saj, Bajram Velija, ka nxjerrë detaje të rënda. Raporti i autopsisë që tashmë gjendet në duart e Prokurorisë bën me dije se pas të shtënave, viktima ka pasur gjakderdhje të brendshme, e cila ka qenë vdekjeprurëse. Të dyshuarit për vrasje, ndërkaq, i është vazhduar paraburgimi edhe për 2 muaj të tjerë.

Me kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit i është vazhduar masa e paraburgimit Bajram Velijes me dyshimet se vrau gruan e tij, Armenda Aliun. Kështu ka konfirmuar  prokurorja e cila po merret me rastin, Ervehe Gashi.

“Mund të ju konfirmoj se personit të lartcekur me kërkesën e Prokurorisë i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë. Ne me datë dy të këtij muaji kemi bërë kërkesë për vazhdimin e paraburgimit dhe Gjykata e ka miratuar atë”, ka konfirmuar prokurorja Gashi.

Ajo ka treguar për detajet nga raporti i obduksionit i bërë në trupin e viktimës Armenda Aliu.

“Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore rreth këtij rasti. Raporti i autopsisë tashmë gjendet te ne. Ne e kemi analizuar atë dhe në bazë të tij, konstatohet se vdekja ka qenë e dhunshme si pasojë e goditjes me armë zjarri. Viktima ka pasur gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme. Në trupin e saj ka vrima hyrëse dhe dalëse të plumbave”, ka dhënë detaje të autopsisë prokurorja e rastit.

Ndërkohë, Prokuroria pritet që gjatë muajit të ardhshëm ta bëjë gati aktakuzën për gjithë këtë rast të dhimbshëm.

E ndërkohë, familja e viktimës përmes palës mbrojtëse, avokatit Arianit Koci, po kërkon burgim të përjetshëm për të dyshuarin.

Javë më parë avokati Koci u shpreh se në bazë të provave që ai ka, del të jetë se vrasja u krye me paramendim.

“Në cilësinë e përfaqësuesit të palëve të dëmtuara kam filluar me analizën e provave dhe dëshmive lidhur me vrasjen makabër të së ndjerës Armenda. Te gjitha provat tregojnë që vrasja ka qenë e paramenduar, e planifikuar mirë dhe se e njëjta, vrasja pra, është kryer në mënyrën më mizore të mundshme”, ka deklaruar për Express, avokati Arianit Koci i cili është palë mbrojtëse e familjes së dëmtuar.

Familja e viktimës po kërkon dënim maksimal për të dyshuarin për këtë vrasje.

“Për shkak të mizorisë ekstreme dhe paramendimit, kjo vrasje është kualifikuar si vrasje e rëndë, dhe kryesi i veprës e meriton dënimin me burgim të përjetshëm”, deklaron tutje Koci.

Ndërkohë motivi i gjithë kësaj ngjarjeje të rëndë ende nuk dihet. Besohet se rastit i ka paraprirë një zënke që çifti kishte pasur në natën kritike me njëri-tjetrin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat