Skandal: Keqpërdoren fëmijët e Prizrenit, detyrohen të bëjnë përshëndetje ushtarake në mbështetje të terrorit ndaj kurdëve

Prizreni

Skandal: Keqpërdoren fëmijët e Prizrenit, detyrohen të bëjnë përshëndetje ushtarake në mbështetje të terrorit ndaj kurdëve

Më: 20 tetor 2019 Në ora: 17:57
Pamje nga vendi i ngjarjes

Futbollistët e Turqisë për golin e shënuar ndaj Shqipërisë në minutën e fundit festuan në stilin e ushtarëve, duke lënë të kuptohet se e përkrahin presidentin turk Erdogan dhe bombardimet që ai i ka nisur në Siri.

Kjo ngjalli reagime të shumta në mbarë botën.

Por rrugën e gabuar të futbollistëve turk e kanë ndjekur fatkeqësisht edhe disa nxënës të shkollës “Motrat Qiriazi” në Prizren, të prirë nga një person i rritur, që mund të jetë mësuesi i tyre.

Është zyrtari i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Gent Kryeziu, që ka bërë një postim në Facebook ku shihet një person i rritur me nxënësit e shkollës në fjalë që kanë bërë fotografi me gjestin i cili simbolizon përshëndetje ushtarake.

Kryeziu ka shkruar se shfrytëzimi i fëmijëve nga mësuesit e tyre, me përshëndetje ushtarake është lloji më i poshtër dhe më brutal i abuzimit me fëmijë.

“Shfrytëzimi i fëmijëve nëpër shkollat tona nga mësuesit e tyre me përshëndetje ushtarake në shenjë përkrahjeje të aksioneve vrastare mes ushtrisë turke dhe rezistencës guerile kurde është lloji më i poshtër dhe më brutal i abuzimit me fëmijë. Derisa shkolla “Motrat Qiriazi” në Prizren flirton me fëmijë në këtë mënyrë, kulmi i abuzimit të tillë kurorëzohet me heshtjen e autoriteteve kompetente”, ka shkruar Kryeziu.

Ai ka shtuar se heshtja e MAShT-it, DKA-së dhe KMDLNj-së karshi këtij gjesti, e legjitimon keqpërdorimin e fëmijëve.

“Hesht DKA-ja, hesht MASHT-i, hesht KMLDNJ-ja. Heshtja e tillë pa dyshim që shërben si infuzion mbi legjitimitetin e abuzimit dhe keqpërdorimit të fëmijëve. Çfarë krimi i përkryer”, ka shkruar Kryeziu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat