Kërkohet paraburgim për dy të dyshuarit, për vrasjet në Prizren dhe Suharekë - Bota Sot
Kërkohet paraburgim për dy të dyshuarit, për vrasjet në Prizren dhe Suharekë

Prizreni

Kërkohet paraburgim për dy të dyshuarit, për vrasjet në Prizren dhe Suharekë

Më: 28 janar 2020 Në ora: 17:26
19 vjeçari

Prokuroria Themelore e Prizrenit, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, për dy vrasësit, dy rastet e fundit që ndodhën në rajonin e Prizrenit.

“Departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit H.S., nga Prizreni, për shkak me datë 26 janar 2020  rreth orës 15:45 në rrugën “Xhevat Berisha” në lagjen Tusuz në Prizren, ku pas një përleshjeje ndërmjet tre personave, është lënduar me thikë personi me inicialet E.K, i moshës 19 vjeçare, ku më pas i njëjti ka ndërruar jetë në spital si pasojë e plagëve të shkaktuara nga ana e të dyshuarit me inicialet H.S, me anë të përdorimit të armës së ftohtë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërsa, tutje bëhet e ditur se ndaj të pandehurit kërkesa për paraburgim është parashtruar për veprat penale “Vrasje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.

Gjithashtu ky departament ka paraqitur kërkesë edhe për caktimin e masës së paraburgimit për vrasësin e Shaip Krasniqit, rast ky që ndodhi në fshatin Maqitevë të Suharekës.

“Po ashtu, nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është paraqitur një (1) kërkesë për caktimn e masës së paraburgimit për të pandehurin me inicialet S.A, për shkak së i njëjti në fshatin Maqitevë – Komuna e Suharekës, ka privuar nga jeta me armë zjarri personin me inicialet Sh.K.

Ndaj të pandehurit S.A, kërkesa për paraburgim është parashtruar për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së”.

Ndryshe,vetëm brenda një javë ne rajonin e Prizrenit, ndodhën katër vrasje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat