Haskuka: Gjatë kësaj jave do të zgjedhim kryesuesin e Kuvendit Komunal

Prizreni

Haskuka: Gjatë kësaj jave do të zgjedhim kryesuesin e Kuvendit Komunal

Më: 12 shkurt 2020 Në ora: 10:01
Mytaher Haskuka

Në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur në janar të këtij viti, Kuvendi Komunal i Prizrenit në mungesë të kuorumit ka dështuar të zgjedhë kryesuesin. E këtë javë do të mbahet vazhdimi i seancës, ku kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka, shprehet i bindur se do të arrijnë të zgjedhin kryesuesin.

Haskuka në një intervistë për KosovaPress, thotë se kandidati i Vetëvendosjes, Muharrem Elezkurtaj, do të arrijë që të marrë votat për të udhëhequr me Kuvendin Komunal.

Haskuka ka folur edhe për aktakuzën e ngritur ndaj tre drejtorëve komunalë, hapjen e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve, parkun e biznesit dhe projektet që janë realizuar gjatë kësaj kohe.

Haskuka: Kjo aktakuzë është politike

I pari i Prizrenit vazhdon ta quajë politike ngritjen e aktakuzës ndaj tre drejtorëve komunal, ndërsa thotë se nuk ka arsye që të njëjtit t’i shkarkojë përkundër që një gjë të tillë e kërkon shoqëria civile në këtë komunë.

Prokuroria në Prizren në dhjetor të vitit të kaluar ka ngritur aktakuzë ndaj Levent Kasemit, drejtor i Shërbimeve Publike nga radhët e Vetëvendosjes, Fejzë Kabashit të LDK-së, drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Refik Shaqirit, drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi, Ganimete Babunës, asamblistë, si dhe Ares Shporta nga shoqëria civile, të gjithë anëtarë të Komisionit për Dhënie në Shfrytëzim të Pronës Publike e që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kreu i Komunës thotë se në këtë rast të gjitha procedurat kanë kaluar nga asambleja komunale dhe se nuk ka prova se ka keqpërdorim të detyrës nga drejtorët.

Kryetari Haskuka thotë se një aktakuzë e tillë më shumë është për të penguar punën e Komunës së Prizrenit.

Sa i përket funksionalizimit të plotë të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve, Haskuka thotë se të gjitha procedurat mund të përfundojnë brenda këtij muaji dhe në të njëjtin muaj të bëhet edhe hapja e parkut.

I pari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, potencon se si komunë janë përballur në vazhdimësi me pengesa në finalizimin e projekteve nga niveli qendror.

Ai përmend që zona ekonomike nuk ka arritur të përfundojë për shkak të mos dhënies së disa pëlqimeve nga ana e ministrive, ani pse thotë se kërkesat për këto pëlqime janë bërë tash e një vit.

Ai përmend se zona ekonomike në këtë komunë është 80 hektarë, ku në 40 kanë bërë rregullimin e rrugëve, ujit, kanalizimit e rrymës, por që pa marrë pëlqimet nuk mund t’i lëshojnë për bizneset që duan të investojnë.

Sa i përket ndërtimit të çerdheve në këtë komunë, ai thotë se deri në fund të mandatit do të kenë të përfunduara gjashtë të tilla.

Një nga pikat që si komunë kanë prioritet, Haskuka thotë se është zhvillimi i turizmit në këtë komunë. Ai përmend se vitin e kaluar kanë hapur shtigje të reja për biçikleta, shtigje të reja për piknik, destinacion të ri turistin në ujëvarat e Korishës, Via Ferrata, paraglajdingun, ndërsa thotë se do të vazhdojnë të punojnë edhe më shumë për turizmin në këtë komunë.

Kreu i Prizrenit përmend edhe turizmin kulturor në këtë komunë, ku thotë se muzeu i Lidhjes së Prizrenit është më i vizituari në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat