Zhdukja e zejeve, rrëfehet njëri nga tre farkëtarët e mbetur në qytetin e Prizrenit

Prizreni

Zhdukja e zejeve, rrëfehet njëri nga tre farkëtarët e mbetur në qytetin e Prizrenit

Më: 12 mars 2020 Në ora: 20:13
Durak Halabaku

Durak Halabaku zejen e farkëtarit po e praktikon që kur ishte 9 vjeç. Ai ka thënë se është njëri prej 3 farkëtarëve që kanë mbetur në qytetin e Prizrenit.

Është zeja e farkëtarit, ajo e cila po zhduket dita ditës.

Ishte 9 vjeç kur Durak Halabaku ka filluar ta mësoj atë nga paraardhësit e tij dhe sot ende vazhdon ta praktikoj.

Ai ka thënë se kjo është bërë një traditë në familjen e tij.

“Në një kohë farkëtarët kanë qenë prodhuesit më të mirë në botë”, thotë Durak Halabaku.

Edhe pse është një zanat që nuk vlerësohet më, Durak Halabaku i kushton tërë ditën kësaj pune.

“Këtë profesion e kam filluar qysh kur kam qenë 9 vjeçar. Pensionit jam. Kam 72 vite, por këtë zanat e punoj ende”, deklaroi Durak Halabaku.

I moshuari e kujton kohën kur ky vend ishte i mbushur me njerëz që e kanë ushtruar këtë zanat, duke thënë që tashmë ka mbetur vetëm ai dhe dy të tjerë.

“Djemtë tanë më nuk po punojnë në farkëtari. Ata kanë ikur për Evropë. Mensuri ka shkuar në Kroaci sepse këtu nuk po paguajnë. As tokën në fshatra më të rinjtë nuk po e punojnë”, deklaroi farkëtari Durak Halabaku.

Me anë të përpunimit të hekurit, ai ka thënë se krijon pothuajse çdo pajisje bujqësore.

Me përkushtim të madh, ai nuk lodhet së punuari dhe shpreson që këtë punë do ta vazhdoj deri në fund të jetës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat