Rasti i fundit me COVID-19 në Prizren është pacient i Hemodializës, sot ritestohen 13 persona për të parë nëse janë shëruar

Prizreni

Rasti i fundit me COVID-19 në Prizren është pacient i Hemodializës, sot ritestohen 13 persona për të parë nëse janë shëruar

Më: 27 prill 2020 Në ora: 14:13
Ilustrim

Prizreni është komuna e pestë me përhapjen e koronavirusit në Kosovë. Rasti i fundit me COVID-19 në këtë qytet është një pacient i Repartit të Hemodializës në Spitalin e Prizrenit. Testimet për rastet e kontaktit do të vazhdojnë, derisa sot pritet që të bëhet ritestimi i 13 të infektuarve për të parë nëse janë shëruar.

Detaje rreth rasteve në këtë komunë ka dhënë Drejtori për Shëndetësi, Visar Shehu.

Shehu ka treguar se edhe sot do të testohen personat që kanë pasur kontakt me të infektuarit. Ai ka treguar se rasti i fundit pozitiv atje është një pacient i hemodializës.

“Mbrëmë ka dal pozitiv edhe një person. Edhe ai është pacient i Hemodializës. Edhe sot do të vazhdojmë me testime të personave të kontakteve, por ende nuk dihet numri i saktë i mostrave që do të testohen. Deri tani, pacientë me COVID-19 ka në fshatin Zhur, Hoçë, Skorobisht dhe e kemi pas një paciente në Korishë, por ajo ka vdekë”, ka thënë Shehu për Express.

I pari i shëndetësisë në këtë komunë ka treguar se sot do të bëhet ritestimi i 13 të infektuarve nga kjo komunë për të parë nëse janë shëruar. Të njëjtit dje kanë dal negativë.

“Sot pritet të bëhet ristestimi i 13 personave, të cilët dje kanë dal negativë. Nëse dalin edhe sot negativë që besojmë se do të dalin, atëherë i bie se janë shëruar”, ka deklaruar Shehu.

Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar 32 raste të reja me COVID-19, duke bërë kështu që numri i të infektuarve në të gjithë vendin të shkojë në 763. Deri tani, 163 persona janë shëruar, derisa 21 kanë vdekur.

“Sot më 26 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 297 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e dy (32) raste”, thuhet në njoftim.

Rastet e konfirmuara janë raste kontakti nga Peja, Kaçaniku, Deçani, Prizreni, Suhareka dhe Shtimja.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, njëzet e tre (23) raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: katërmbëdhjetë (14) raste Pejë, pesë (5) raste Nakëll dhe katër (4) raste Bllagajë), katër (4) raste me vendbanim në Runjevë-Kaçanik, dy (2) raste me vendbanim në Strellc i epërm-Deçan dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Hoçë e Qytetit-Prizren, Sallagrazhdë-Suharekë dhe Shtime”, njofton IKShP-ja. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat