PDK në Prizren: Haskuka gjatë kohës së pandemisë bëri shumë gabime

Prizreni

PDK në Prizren: Haskuka gjatë kohës së pandemisë bëri shumë gabime

Më: 5 qershor 2020 Në ora: 12:31
Shaqir Totaj

Partia Demokratike e Kosovës në Prizren, po vlerëson se qeverisja lokale në këtë qytet gjatë kohës së pandemisë ka bërë shumë gabime.

Kryetari i PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj në një konferencë për media ka përmendur disa vendime të cilat sipas tij janë marrë në kohën e pandemisë e që janë në dëm të qytetarëve.

Kjo është komunikata e plotë e PDK-së në Prizren:

Qeverisja lokale në Prizren, e udhëhequr nga VV, edhe gjatë fazës së pandemisë, ka bërë shumë gabime. Gjatë kësaj faze, kemi qenë më të rezervuar në të bërit opozitë, por me qëllim të mbrojtjes së interesit publik, ne do të vazhdojmë denoncimin e dukurive negative.

Kësaj radhe, do të mirremi me degradimin urban dhe të ambientit, ku si dukuri negative në qytetin e Prizrenit të udhëhequr nga VV dhe kryetari Haskuka nuk ka të ndalur.

Një nga dukuritë negative që është në rritje e sipër, është edhe ndërtimi i të ashtuquajturave VILLA, të cilat tashmë janë ndërtuar në shumë lokacione në territorin e Komunës së Prizrenit.

Ky fenomen i degradimit urban, ka vazhduar edhe gjatë kohës së pandemisë, që është paradoks i llojit të veçantë dhe në vijim do të paraqesim rastin më të ri, që po ndodh këto ditë.

Në lokacionin tek udhëkryqi i vogël afër autostradës, ku gjindet pompa e derivative ‘’Arbëria’’ dhe pas servisit ‘’Mercedes’’ dhe sallonit të dasmave ‘’Nafron’’ tashmë është ndërtuar një kompleks i tillë dhe një tjetër ka filluar të ndërtohet pikërisht gjatë kohës së pandemisë.

Banorët e shqetësuar në këtë pjesë banimi, e kanë ngritur këtë çështje, dhe ata thonë se nga Drejtoria e Urbanizmit janë siguruar se ai projekt në ndërtim e sipër nuk ka leje nga Drejtoria në fjalë, por se leja është dhënë nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.

Banorët e lagjes, kanë kontaktuar edhe me zv.Ministrin e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe nga ai është konfirmuar se Ministria nuk jep leje për ndërtim në asnjë rast, por merret vetëm me ankesa në raste të veçanta.

Nga ana tjetër, Inspektorati i Komunës së Prizrenit, nuk e pengon fare në punë investitorin, që do të duhej ta bënte një gjë të tillë, deri sa nuk ka fare leje.

Imponohet pyetja, se pse nuk ka koordinim mes Drejtorisë së Urbanizmit dhe asaj të Inspektoratit?

Si është e mundur që ndërtime të natyrës së tillë, të fillojnë në kohë të pandemisë?

Kjo çështje përveç që duhet trajtuar nga aspekti ligjor dhe institucional, është edhe një tregues jo i mirë i moralit, sepse ka dyshime të bazuara se VILLA të tilla, nuk përdoren për qëllime të mira dhe me kësi veprime, askush nuk mund të krenohet.

Ekspanzioni i këtyre VILLA-ve, sidomos kur janë në kundërshtim me ligjin, nuk duhet toleruar as minimalisht, kurse ajo që po bënë Komuna e Prizrenit si pasojë e keqmenaxhimit, në fakt këto lloje të aktiviteteve madje edhe po favorizohen.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat