Mytaher Haskukës i dështon seanca për buxhetin, vjen reagimi i PDK-së

Prizreni

Mytaher Haskukës i dështon seanca për buxhetin, vjen reagimi i PDK-së

Më: 9 qershor 2020 Në ora: 17:48
Visar Islamaj

Pas dështimit të rishikimit të buxhetit komunal të Prizrenit në mbledhjen e sotme, ku nuk morën pjesë partitë opozitare, ka ardhur reagimi i sekretarit të përgjithshëm të Degës së PDK-së në Prizren Visar Islamaj.

Në një postim në Facebook, Islamaj thotë se i pari i Prizrenit kërkon vota për kalim të vendimeve të tij pasi e ka prishur koalicionin me partnerët e deritashëm.

Postimi i plotë:

Për të qeverisur suksesshëm një komunë domosdo duhet ta kesh shumicën në Kuvendin e Komunës, ngase ligji e njeh si autoritetin më të lartë vendimmarrës dhe politikë bërës për një komunë të caktuar.

Arroganca e pushtetit lokal në Prizren, tanimë e njohur me gjuhën dhe veprimet e veta, edhe sot tentoi në mënyrë klandestine, për interesa të pushtetit, ta kalojë rishikimin e buxhetit komunal.

Për ta marrë një vendim në Kuvendin e Komunës, në seancë duhet të jenë të pranishëm mbi gjysma e anëtarëve të Kuvendit dhe për të konsideruar se një vendim ka kaluar duhet që së paku shumica e anëtarëve të pranishëm të kenë votuar për, nëse me ligj nuk është paraparë ndryshe.

Sot, Mytaher Haskukës i dështoi seanca urgjente e Kuvendit të Komunës për rishikimin e buxhetit, ngase para ca ditësh e përjashtoi partnerin e fundit nga koalicioni, prandaj është e habitshme se si, i njëjti, pret që me qasje përjashtuese t’i afrohen partnerë për t’ia bërë numrat.

Kjo qasje e Mytaher Haskukës, tregon se sa i vobektë është në të kuptuarit e qeverisjes lokale, dhe sa degraduese është qasja e tij në zhvillimin e qytetit të Prizrenit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat