Veseli: Në Prizren e kemi filluar rrugëtimin tonë për rimëkëmbje kombëtare - Bota Sot
Veseli: Në Prizren e kemi filluar rrugëtimin tonë për rimëkëmbje kombëtare

Prizreni

Veseli: Në Prizren e kemi filluar rrugëtimin tonë për rimëkëmbje kombëtare

Më: 18 qershor 2020 Në ora: 13:15
Kadri Veseli

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli në Ditën e Çlirimit të Skenderajt ka mbledhur kryesinë e partisë së tij.

Veseli në një konferencë për media tha se nuk Kosova nuk ka tokë për të dhënë e as shtet për të mohuar. Ai potencoi se subjekti që ai e udhëheq, së shpejti do të kthehet për të qeverisur.

Kreu i PDK-së edhe në Skenderaj foli për rimëkëmbjen kombëtare.

Veseli: Në Prizren e kemi filluar rrugëtimin tonë për rimëkëmbje kombëtare

“Shënimi i Ditës së Çlirimit në Skenderaj është përkushtimi ynë i vazhdueshëm për të nderuar të rënët tanë në luftën çlirimtare dhe betimi ynë për një të ardhme më të mirë për brezat që po vijnë. Në Prizren e kemi filluar rrugëtimin tonë për rimëkëmbje kombëtare, një koncept të ri politik në të cilin do të zënë vend shteti i së drejtës, koncepti modern ekonomik në parimin djathtist të tregut dhe konkurrencës së lirë, ndryshimit të mençur, në të cilin shtet përbrenda lartësohen dhe përparojnë vlerat tona kombëtare”, tha ai.

Sipas tij, disa parti politike po mundohen me mashtrime të pushtojnë mendjen e qytetarëve në kohën kur vendi po ballafaqohet me Serbinë.

Veseli: S’ka kompromis me mashtrues që ndryshojnë fjalët në bazë të interesit

“Disa parti po mundohen me fjalë, urrejtje, mos punë dhe mashtrime të pushtojnë mendjet e qytetarëve. E kanë bërë ideal, kauzë për të fituar për vete, luftën brenda shqiptareve, mu në kohën e një ballafaqimi jo të lehtë në përmbylljen e pa kompromis të shtetësisë sonë me Serbinë dhe anëtarësimin ne OKB. Kjo nuk është duke u bërë pa qëllim, kjo nuk e ndihmon Kosovën përballë Serbisë, kjo e rrezikon Kosovën. Jam i lumtur që qytetarët po i kuptojnë këto kurthe dhe po i demaskojnë çdo ditë ato; nuk ka kompromis me mashtrues, nuk ka besim në ata që nuk mbajnë asnjë fjalë dhe i ndryshojnë në bazë të interesit dhe zorit. Kjo është arsyeja që qeveritë e mashtrimit po bien njëra pas tjetrës dhe as që do të mund të qëndrojnë. Qytetari ynë është shumë i mençur dhe i dallon këto kurthe”, tha ai.

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës tha se Kosova nuk ka tokë për të dhënë andaj thotë se si PDK kanë koncept politik për secilin qytetar dhe se së shpejti do kthehen për të qeverisur vendin.

Veseli: Nuk kemi tokë për të dhënë

“Nuk kemi tokë për të dhënë, nuk kemi shtet për të mohuar. Kjo është shtëpia jonë e sigurt, jeta jonë dhe e ardhmja e fëmijëve tanë. Koncepti ynë politik bazohet në idetë e reja dhe të domosdoshme, në përkushtimin e secilit për të përfunduar shtet-ndërtimin tonë me një qeverisje të PDK-së, e cila do të arrijë të shndërrojnë vendin tonë në një vend ku jeta e secilit qytetar do të jetë e kënaqshme për secilin, në të drejta dhe përgjegjësi. Rimëkëmbja ekonomike, është vizioni ynë më i qartë dhe përkushtimi ynë kryesor”, tha ai.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli tha se përkushtimi i tyre do të jetë partneriteti i qëndrueshëm me miqtë ndërkombëtarë, posaçërisht me SHBA-të, marrëdhënie këto të cilët sipas tij qeveria e shkuar i dëmtoi skajshmërisht. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat