​Në Landovicë të Prizrenit u kujtuan dëshmorët

Prizreni

​Në Landovicë të Prizrenit u kujtuan dëshmorët

Më: 15 shtator 2020 Në ora: 11:04
Foto nga homazhet

Në qytetin historik të Prizrenit sot është shënuar dita e dëshmorëve. Me këtë rast janë organizuar një sërë aktivitetesh. Manifestimet për këtë ditë nisën me homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Landovicë, e më pastaj edhe tek shtatoret e dëshmorëve në qendër të qytetit.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se në këtë përvjetor po kujtojnë dëshmorët që flijuan jetën e tyre për të realizuar ëndrrat e qytetarëve të Kosovës për të pasur një shtet.

Haskuka: Homazhe tek dëshmorët e kombit të cilët dhanë jetë për të realizuar ëndrrat e shtetit tonë

“Ishin këtu në Landovicë në homazhe tek dëshmorët e kombit të cilët dhanë jetën për të realizuar ëndrrat tona për shtetin tonë, sot përkujtuam bashkë me organizatat e veteranëve të luftës dhe të gjitha organizatat tjera të dala nga lufta. Homazhet do vazhdojnë edhe nëpër lapidarët e tyre”, tha ai.

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Isa Berisha tha se në këtë ditë po kujtojnë sakrificën e rreth 250 dëshmorëve që dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës.

Berisha: Po bëjmë homazhe për të përkujtuar sakrificën e dëshmorëve

“Sot është dita e dëshmorëve e komunës së Prizrenit, ku në këtë ditë përkujtojmë përafërsisht diku rreth 250 dëshmorë të komunës së Prizrenit. Ne sot po bëjmë homazhe për të përkujtuar sakrificën dhe vlerat sublimet të cilat me jetën e dhënë për lirin e Kosovës ne sot jemi këtu për të bërë homazhe”, u shpreh Berisha.

Tek varrezat e dëshmorëve në Landovicë të pranishëm ishin edhe familjarët e dëshmorëve.

Muhamet Gashi babai i dëshmorit Halil Gashi thotë se nuk janë të kënaqur edhe aq shumë me punën që është bërë për ndërtimin e shtetit të Kosovës, për të cilin dha edhe djalin e tij.

Gashi: Nuk po e harrojmë që 21 vite

“Mirë pasi që 21 vite nuk po e harrojmë dëshmorët që kanë rënë për liri. Jemi të kënaqur deri diku me atë cfarë është bërë për ta, por bash të kënaqur nuk jemi. Ju po e shihni edhe vetë gjendjen”, tha babai i dëshmorit Halil Gashi.

Në ditën e dëshmorëve të Prizrenit komuna e Prizrenit ka ndarë mirënjohje edhe për gratë veterane të luftës, si dhe u bë përurimi i rifillimit të punimeve për përfundimin e memorialit të heroit “Besim Nrecaj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat