Dyshime se në varrezat e Prizrenit ka ende trupa të groposur gjatë luftës

Prizreni

Dyshime se në varrezat e Prizrenit ka ende trupa të groposur gjatë luftës

Më: 19 dhjetor 2020 Në ora: 21:11
Foto ilustrim

Gjetja e mbetjeve mortore të dy personave të zhdukur gjatë luftës, në Prizren e Rahovec, shënon fundin e kërkimeve për këtë vit. Gërmimet në varrezat e qytetit të Prizrenit pritet të rikthehen sërish vitin e ardhshëm, pasi ka dyshime se aty mund të jenë groposur nga regjimi serb trupat e viktimave të tjera të luftës. Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur thotë se gërmimet do të vazhdojnë kur të përmirësohet moti.

"Rasti Tusuz apo varrezat e qytetit të Prizrenit është një nga lokacionet që punohet vazhdimisht këto vite. Sigurisht që nuk përjashtohet mundësia që të rikthehemi sërish në përputhje me informacionin plotësues që mund të sigurojmë. Kur themi informacionin plotësues, kjo nënkupton informatat që ofrohen nga qytetarët, por edhe nga mekanizmat që janë pjesë e këtij procesi, paraprakisht analizohen, vlerësohen dhe mbi bazën e tyre pastaj veprohet me gërmimet e nevojshme në terren", ka thënë Gara.

Informatat e qytetarëve patën rol kyç në gjetjen e eshtrave të një personi në varrezat e qytetit në Rahovec dhe të pjesëve kockore të një personi në Prizren. Gara kërkon që ky bashkëpunim të vazhdohet tutje, pasi, sipas tij, varrezat e qyteteve të mëdha janë përdorur nga forcat e serbe për groposje të viktimave të luftës në përpjekje të fshehjes së gjurmëve të krimit.

"Prandaj është shumë e rëndësishme që çdo qytetar gjatë hapjes së varreve, 21 vjet pas luftës për të varrosur familjarët e tyre që ndërrojnë jetë, në rast se hasin në rroba, pjesë kockore ose eshtra të varrosur jo sipas traditës apo rendit fetar, të mos i lëvizin këta eshtra, t'i njoftojnë institucionet kompetente dhe në bazë të këtyre informacioneve ne si institucione do të veprojmë", ka shtuar më tej Gara.

Dhënien e informacioneve e ka kërkuar edhe Selami Hoti, përfaqësues i familjarëve të personave të pagjetur nga Krusha e Madhe e Rahovecit.

"E kemi Policinë e Kosovë, i kemi mediat, i kemi të gjithë njerëzit. Kudo që një qytetar i Kosovës dyshon në një vend ku ka predispozita se ka mundur të bëhet ndonjë varrim ilegal i kohës, ai e ka mundësinë të kontribuojë me dhënien e asaj informate", ka deklaruar Hoti.

Punën për këtë vit e ka përmbyllur edhe Këshilli Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, i cili më 2021 pret më shumë rezultate nga gërmimet.

"Hulumtime janë bërë në terren..., aty-këtu sikur në Rahovec dhe Prizren dhe në disa vende në veri të Mitrovicës, dhe në regjionin e Skenderajt ka pasur nga një apo dy trupa. Tash do të shikojmë se si do të dalë rezultati, nuk e dimë se kush janë, do të thotë kë e përcakton analiza e ADN-së", ka thënë Grajqevci.

Mbetjet mortore të zhvarrosura së fundmi nga Rahoveci dhe Prizreni do të dërgohen për ekzaminim mjekoligjor, ndërsa mostrat nga mbetjet mortore do të dërgohen për identifikim përmes analizës së ADN-së. Pas identifikimit, mbetjet do t’iu dorëzohen për rivarrim familjeve të personave të identifikuar. Nga lufta e fundit, Kosova vazhdon t'i ketë të zhdukur mbi 1 mijë e 600 persona.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat