Edhe një shërbim për qytetarët e Malishevës kthehet në regjionin e Prizrenit

Prizreni

Edhe një shërbim për qytetarët e Malishevës kthehet në regjionin e Prizrenit

Më: 15 janar 2021 Në ora: 09:54
Pamje nga takimi

Gradualisht ka filluar kthimi i shërbimeve për qytetarët e Komunës së Malishevës, nga Regjioni i Gjakovës në Regjionin e Prizrenit. Dje, ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica edhe zyrtarisht e ka sjellë vendimin për kthimin e shërbimeve për kategoritë e dala nga lufta, me Regjionin e Prizrenit, kërkesë e vazhdueshme e qytetarëve të Komunës së Malishevës.

Ministri Reçica, është pritur në Malishevë, nga nënkryetari i komunës, Hajdin Berisha, kabineti i qeverisë komunale dhe përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, të cilët e kanë falënderuar ministrin dhe ministrinë për këtë vendim domethënës për këtë kategori dhe për të gjithë qytetarët.

Ministri i MPMS, Skënder Reçica, tha se “këtë vendim e ka marrë pas shqyrtimit kërkesave të Komunës së Malishevës, të organizatave të dala të lufta dhe të qytetarëve, dhe me qëllim të ofrimit të shërbimit sa më afër qytetarit. Uroj që ky vit kështu si e kemi filluar të na ecë mbarë të gjithëve, ndërsa ofrimi sa i më i lehtë i shërbimeve për qytetarët, ka qenë gjithmonë angazhim i imi, madje shumë shpejtë, sipas planit të ministrisë, këto shërbime do të ofrohen në komuna. Vendi ynë ka nevojë për politika të mirëfillta sociale dhe i tërë angazhim im dhe i ministrisë është në avancimin e këtyre politikave”, ka thënë ministri Reçica.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, “ në emër të Kryetarit të Komunës, z.Ragip Begaj dhe emër të Komunës së Malishevës, e ka falënderuar ministrin Reçica, për këtë vendim domethënës i cili ka rëndësi të veçantë, jo vetëm për kategoritë e dala nga lufta, për ofrimin e shërbimeve më të lehta dhe aty Malisheva e ka vendin e saj, pasi tradicionalisht, në çdo aspekt është e lidhur me Prizrenin”. Nënkryetari Berisha, ju ka bërë thirrje edhe ministrive tjera, që ti përshpejtojnë procedurat për kthimin e të gjitha shërbimeve tjera në regjionin e Prizrenit.

Edhe përfaqësuesit e kategorive të dala nga lufta, Metush Kryeziu, Sinan Gegaj dhe Fatmir Buçaj, e kanë falënderuar ministrin Reçica. Ata thanë se “përveç këtyre shërbimeve, urojmë që edhe ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës të miratohet dhe të mbrohen vlerat e luftës dhe të rregullohen të gjitha çështjet tjera që lidhen me këtë kategori, e të mos ndihemi të anashkaluar”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat