​Kërkohet dënim meritor për vrasësin e Hatije Dinës

Prizreni

​Kërkohet dënim meritor për vrasësin e Hatije Dinës

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 13:05
Pamje nga protesta

Para Gjykatës Themelore të Prizrenit sot kanë protestuar disa qytetarë e aktivistë kundër dënimit të Ilir Haxhiajt me 15 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes së tij, Hatije Dinën. Protestuesit e kundërshtuan këtë vendim pasi e vlerësojnë të ulët.

Nën thirrjet “Drejtësi për Hatije Dinën”, “Gjykatë është vrasje e jo lëndim i lëndë trupor”, “Dënim meritor për Ilir Haxhiajn” protestuesit kërkuan drejtësi për gratë e vrara.

Aktivistja, Liridona Sijarina tha se dënimi që Gjykata Themelore e Prizrenit e nxori për Ilir Haxhiajn është i ulët, madje sipas saj një vendim i tillë është padrejtësi institucionale ndaj të gjitha grave që përjetojnë dhunë.

Sijarina: Ky vendi është një padrejtësi institucionale që po iu bëhet të gjitha grave

“Jemi mbledhur këtu për të protestuar kundër vendimit të Gjykatës së Prizrenit për dënimin e Ilir Haxhiajt me 15 vite burgim për vrasjen e bashkëshortes, Hatije Dina të cilin ne e gjykojmë të padrejtë. Në vitin 2019 Haxhiaj e vrau Hatije Dinën duke e rrahur atë brutalisht, përkundër kësaj në vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit ai dënohet për lëndim të rëndë trupor me një dënim i cili është i ulët për krimin që është kryer. Ky vendi është një padrejtësi institucionale që po iu bëhet të gjitha grave që për shkak te qasjes së gabuar te shtetit ato vazhdojnë të shtypen. Gratë vazhdojnë të dhunohen”, tha ai.

Sijarina tha se përmes kësaj proteste po kërkojnë dënim meritor për vrasjen e Hatije Dinës nga bashkëshorti i saj.

Sipas saj dënimet e tilla të ulëta po ndikojnë në shtimin e rasteve të dhunës dhe vrasjes së grave nga burrat.

Sijarina: Insistojmë për dënim meritor ndaj Ilir Haxhiajt

“Shteti vazhdon t’i neglizhojë jetët e tyre pikërisht pse ato janë gra. Ky rast është edhe një rast tjetër i femicidit andaj ne nuk mund ta lexojmë ndryshe përveç se një dhunë të institucionalizuar ndaj grave e cila përveç që po i lë gratë të varfërua po ua vjedh të drejtën themelore për jetë. Derisa gratë vazhdojnë dhunohen, përdhunohen e vriten nga burrat dhe shteti vazhdon t’ua mbajë anën e tyre ne nuk mund të heshtim po do kundërshtojmë çdo herë e më fuqishëm derisa drejtësia për gratë të arrihet. Nga këtu e kundërshtojmë këtë vendim të gjykatës dhe insistojmë për dënim meritor për Ilir Haxhiajn pasi dënimet të tilla vetëm sa po e ushqejnë dhunën sistematike ndaj grave dhe vrasjen e tyre”, tha ajo.

Gjykata Themelore e Prizrenit e dënoi me 15 vite burgim Ilir Haxhiajn i cili në vitin 2019 e rrahu dhe e vrau bashkëshorten e tij, Hatije Dinën. I dënuari, sipas Gjykatës është dënuar për "lëndim të rëndë trupor" i cili çoi në vdekjen e viktimës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat