​Arrest shtëpiak për sulm ndaj personit zyrtar

Prizreni

​Arrest shtëpiak për sulm ndaj personit zyrtar

Më: 17 mars 2021 Në ora: 17:26
Gjykata Themelore në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka caktuar masën një muaj arrest shtëpiak ndaj të pandehurit A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulmi ndaj personit zyrtar.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë.

I pandehuri, më 14 mars, në orët e mbrëmjes, në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren, sulmon fizikisht personin zyrtar – infermierin teknik i cili ishte në kryerje të detyrës zyrtare, ashtu që pasi i pandehuri e dërgon djalin e tij në spital për të kryer ekzaminim, i dëmtuari - infermieri teknik i kërkon të dhënat personale të djalit të të pandehurit pasi këto shënime nuk ishin të evidentuara në udhëzim, e pas kësaj i pandehuri i drejtohet me fjalët “për para e ki a, dhe se me të kam problem që dy vjet”. Pas kësaj, ai me dashje e sulmon fizikisht të dëmtuarin, duke i shkaktuar lëndime trupore. Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

I pandehuri A.K., nuk guxon që të largohet nga lokalet ku i njëjti e ka vendbanimin në Prizren, si dhe i ndalohet të kontaktojë me personat me të cilët ai nuk jeton apo të cilët nuk janë të varur nga i pandehuri, nëse i njëjti e shkel masën e arrestit shtëpiak, ndaj të njëjtit do të caktohet masa e paraburgimit.

Gjykata është e mendimit se edhe me masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit do të sigurohet prezenca e tij, e në rastin konkret i pandehuri gjatë deklarimit të dhënë në polici, ka pranuar se ka kryer sulmin ndaj personit zyrtar, ndërsa këtë veprim e ka ndërmarrë për shkak të gjendjes jo të mirë të tij dhe të djalit të tij, të cilin e kishte dërguar për trajtim në spital,

Sipas gjykatës, me caktimin e masës së arrestit shtëpiak, nuk do të vështirësohet apo pengohet zhvillimi i procedurës penale- hetimore, nuk do të ndikohej në prova, dëshmitarë e të dëmtuarin dhe i pandehuri do të parandalohet që të kryejë ndonjë vepër tjetër penale apo të përsërisë veprën e kryer penale.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat