​Policia ndalon dasmat në Prizren

Prizreni

​Policia ndalon dasmat në Prizren

Më: 4 prill 2021 Në ora: 23:59
Foto ilustrim

Policia në Prizren sot ka realizuar një numër të konsiderueshëm të aktiviteteve me qëllim të kontrollit të zbatimit të masave antiCOVID-19.

Në këtë kuadër policia kishte pranuar informacion se disa objekte hoteliere, përkatësisht salla të dasmave kanë organizuar ahengje në kundërshtim me masat dhe rekomandimet e IKSHP-së.

Veprimet e policisë ishin të menjëhershme dhe u kryen kontrolle në disa lokacione dhe shqiptuan gjoba në tri lokale në Prizren me nga 500 euro për bizneset, ndërsa për organizatorin nga 200 euro, dhe në Vërmicë inspektorët shqiptuan gjobë në vlerë 500 euro. Si rezultat i kësaj policia shpërndau të gjithë dasmorët dhe ndaloi dasmat.

Në kuadër të inspektimit të lokaleve u kontrolluan gjithsej 77 lokale në rajonin e Prizrenit, ndërsa për mos mbajtje të distancës dhe pa maska u shqiptuan 40 gjoba.

Policia rajonale në Prizren apelon te të gjithë qytetarët e Prizrenit që të respektojnë masat e Qeverisë dhe rekomandimet e IKSHP-së kundër COVID-19.

“Aktivitete të tilla do të jenë në vazhdimësi, dhe policia do të jetë në zbatim të plotë të vendimeve të qeverisë dhe rekomandimeve të IKSHP-së”, njofton Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat