​Shoqata Trojet e Arbrit: MKRS po neglizhon kërkesën për vendosjen e Muranës së Skënderbeut në Prizren

Prizreni

​Shoqata Trojet e Arbrit: MKRS po neglizhon kërkesën për vendosjen e Muranës së Skënderbeut në Prizren

Më: 5 qershor 2021 Në ora: 15:07
Foto ilustrim

Shoqata e Intelektualëve shqiptar "Trojet e Arbrit", ka njoftuar se kanë kaluar gjashtë muaj që kur kanë dorëzuar të kompletuar projektin për ndërtimin e Muranës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prizren, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për marrjen e lejës në qëndren historike të Prizrenit dhe vendosjen e Muranës.

Sipas shoqatës, projektin e kanë dorëzuar pas përfundimit të një debati një mujor i cili ka qenë shumë interesant dhe mjaftë frytdhënës.

“Në këtë debat me këshilla dhe sugjerime patëm mijëra të interesuar që dhanë propozimet e tyre që do të merren parasysh në të ardhmën. Por fatkeqësisht ka gjashtë muaj që edhe ministrja e kaluar Vlora Dumoshi dhe ministri aktual Hajrullah Çeku janë duke e neglizhuar dhe duke e vonuar në pafundësi marrjen e vendimit lidhur me kërkesën e kompletuar të Shoqatës" Trojet e Arbrit" lidhur me Muranën e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut në Prizren. Shoqata "Trojet e Arbrit" për shkak të ndërrimeve që janë bërë në këtë ministri do të presë edhe disa muaj përgjigjen dhe nëse ne injorohemi dhe nuk marrim përgjigje pozitive nga ana e ministrisë, do të fillojmë me planin tonë rezervë, i cili do t´iu bëhet i njohur me kohë opinionit.Ne nuk do të lejojmë asesi që një shtet tjetër, të përzihet në marrjen e vendimeve në institucionet e Republikës se Kosovës të ndalon e të bllokon projektet e figurave tona madhore gjithëkombëtare.

Në këtë periudhë kohore kemi marrë mijëra mesazhe urimi nga të gjitha trojet etnike shqiptare lidhur me këtë projekt i cili do t’i jep madhështinë qytetit historik, Prizrenit ku në një sipërfaqe të afërt do të gërshetohen tri periudha historike ajo e mesjetës me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, ajo e kohës se re me lidhjen shqiptare të Prizrenit me figurat udhëheqëse të kësaj Lidhje, si dhe periudha e kohës më të re me Adem Jasharin komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Çdo ministre apo ministër duhet ta dijë shumë qartë se pozitat që ata bartin në institucionet e Kosovës janë kalimtare kurse figurat tona historike janë të përhershme sa do të ekzistoj shqiptaria”, thuhet në reagim.  

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat