Ish-komandanti i UÇK-së kujton çlirimin e Prizrenit në 1999

Prizreni

Ish-komandanti i UÇK-së kujton çlirimin e Prizrenit në 1999

Më: 10 qershor 2021 Në ora: 18:44
Zafir Berisha

Marrëveshja e nënshkruar mes forcave të KFOR-it dhe atyre serbe, e njohur si Marrëveshja e Kumanovës më 9 qershor 1999 do të sillte tërheqjen e trupave policore dhe ushtarake serbe nga territori i Kosovës.

Zafir Berisha, ish – komandanti i UÇK-së, e kujton atë kohë duke thënë që ushtarët e UÇK-së kishin parandjenjën se “liria ishte afër”.

“Të kthehem në kohë, në dy ose tri javët e fundit të luftës në Kosovë, mund të them se Serbia ishte e dërrmuar nga aleanca NATO-s, pasi ato javë, kishte intensifikim të bombardimeve që me njëfarë forme ne që ishim në terren, e pamë që Serbia dhe ushtarët e saj, filluan që të dezertonin. Kishim edhe informata nga brenda qytetit, ku disa nga podrumet e objekteve në qytet ishin shndërruar në burgje për dezertorët e Serbisë. Me një fjalë, ishte ajo ndjenja tek luftëtarët e UÇK-së, se liria është afër”.

“Me të kuptuar në mbrëmjen e 9 qershorit lajmin për nënshkrimin e kapitullimit nga Serbia, njësitet e UÇK-së ishin në mobilizim e sipër, pasi ne duke e njohur logjikën apo doktrinën ushtarake për tokë të djegur të Serbisë, filluam t’i afroheshim qytetit për të mos ndodhur më e keqja. Ishte momenti më i rrezikshëm i luftës, pasi Serbia në tërheqje e sipër mund të bënte një masakër tjetër në Prizren”.

Berisha ka theksuar që ishin momente emocionuese, sidomos për ata që ishin qysh nga ditët e para në luftë.

“Ka qenë një ndjenjë e jashtëzakonshme. Mua më ka dhënë përparësi pak edhe njohja e gjuhës gjermane meqë ishte KFOR-i gjerman. Më kujtohet një oficeri i lartë i cili u befasonte kur na shihte se në çfarë gjendje ishim dhe çfarë fuqie ushtarake e kishim përballuar. Por, më e veçanta prej të gjithave ka qenë takimi me qytetarë të zakonshëm, të cilët me muaj kishin ndejtur në ankth nga frika e masakrave që mund të ndodhnin dhe ishte një ndjenjë e papërshkrueshme çlirimi i i Prizrenit”, u shpreh ai.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat