​Mbi 12 mijë qytetarë të Prizrenit janë vaksinuar kundër COVID-19

Prizreni

​Mbi 12 mijë qytetarë të Prizrenit janë vaksinuar kundër COVID-19

Më: 29 qershor 2021 Në ora: 14:04
Foto Ilustrim

Nga muaji prill kur nisi vaksinimi kundër COVID-19 në komunën e Prizrenit, deri tani janë imunizuar mbi 12 mijë qytetarë, prej tyre dozën e dytë e kanë marr 2 mijë e 195.

Kështu ka bërë të ditur Arbnore Nishori, mbikëqyrëse procesit të vaksinimit në Komunën e Prizrenit e cila tha se procesi i vaksinimit masiv në këtë komunë po shkon pa telashe.

Ajo tha se aktualisht janë duke vaksinuar vetëm personat që përfshihen në fazën e dytë të planit të vaksinimit.

Nishori: Në Prizren janë vaksinuar mbi 12 mijë qytetarë

“Procesi i vaksinimit në komunën e Prizrenit është duke u zhvilluar në rregull, gjithmonë sipas rekomandimeve të IKSHP-së, dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Momentalisht jemi duke vaksinuar qytetarët qe i përkasin kategorive të lejuara për vaksinim si të moshuarit mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë gjithmonë me dëshmi përkatëse, mësimdhënësit, forcat e sigurisë si Policia dhe FSK, profesionistët shëndetësorë. Deri më tani me dozë të parë janë vaksinuar 9 mijë e 993 persona, ndërsa me dozën e dytë janë vaksinuar 2 mijë e 195, ndërsa totali është 12 mijë e 188 vaksina të aplikuara në komunë tonë”, tha ajo.

Vetëm gjatë ditës së martë, deri në mesditë, në qendrën e vaksinimit në sallën sportive “Sezai Surroi” në Prizren janë vaksinuar mbi 300 persona, por Nishori njoftoi se brenda ditës shifrat e vaksinimit mund të shkojnë edhe deri në 500.

Koordinatorja e kësaj qendre të vaksinimit tha se përkundër që në dispozicion i kanë edhe llojin e vaksinave AstraZeneca por edhe Pfizer, kjo e fundit po kërkohet më shumë nga qytetarët.

Nishori: Është rritur interesimi për vaksinimi, brenda ditës vaksinojmë deri 500 qytetarë

“Nga ora 07:00 e deri më tani janë vaksinuar gjithsej 303 qytetarë. Brenda ditës mund të arrijë vaksinimi deri në 500 qytetarë. Interesimi është i madh edhe i qytetarëve që nuk i përkasin kategorive, prandaj edhe jemi të detyruar t’i kthejmë ata dhe të presin kohën kur na lejohet edhe neve për t’i vaksinuar. Për momentin vaksinohen qytetarët qe aplikojnë në E-Kosova dhe kanë terminin e caktuar... në dispozicion i kemi të dy llojet e vaksinave preferenca është më e madhe për Pfizer”, theksoi ajo.

Gjatë ditës së djeshme në Kosovë ka arritur kontingjenti me dozat e vaksinave Pfizer që janë blerë nga qeveria e Kosovës. E për këtë Nishori tha se tashmë janë njoftuar por ende nuk e dinë se sa vaksina do t’i kenë si komunë në dispozicion nga ky kontingjent.

Por ajo shtoi se kanë bërë përgatitjet e nevojshme edhe për vaksinim më intensiv të qytetarëve.

Nishori: Kemi hapësira dhe ekipe të mjaftueshme për procesin e vaksinimit

“Në komunën tonë punojnë me dy ndërrime paradite dhe pasdite dhe kemi hapësirë të mjaftueshme për te arritur për t’i vaksinuar qytetarët që duan dhe që i përkasin kategorive të caktuara he të lejuara...qendra është mjaftueshëm e madhe dhe kemi hapësirë të mjaftueshme dhe kemi ekipe të mjaftueshme për vaksinim... për momentin punojmë me 11 ekipe por mund ta rrisim numrin e ekipeve deri në 18”, u shpreh Nishori.

Nga 15 qershori në Kosovë ka nisur procesi i vaksinimit masiv kundër Covid-19 dhe deri më tani janë vaksinuar mbi 160 mijë qytetarë, prej tyre mbi 32 mijë janë imunizuar edhe me dozën e dytë.

Ndërsa, krahas donacioneve me doza të vaksinave të llojit Pfizer dhe AstraZeneca nga COVAX dhe Bashkimi Evropian, edhe qeveria e Kosovës ka blerë 1.2 milion vaksina nga kompania prodhuese Pfizer. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat