Haskuka: Do të fitojmë Prizrenin pa balotazh

Prizreni

Haskuka: Do të fitojmë Prizrenin pa balotazh

Më: 17 shtator 2021 Në ora: 19:25
Haskuka nis fushatën për Prizrenin

Në oborrin e shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë hapjen e fushatës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Kryetari aktual i kësaj komune, Mytaher Haskuka është shprehur i bindur për fitore pa balotazh. Madje, ai ka deklaruar se gjatë këtij mandati katër vjeçar kanë arritur të përmbushin 95 për qind të premtimeve, ani pse nuk kanë pasur mbështetje në kuvendin komunal.

Ai ka prezantuar 45 kandidatët për asamblistë të listës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren.

Haskuka: Do të fitojmë Prizrenin pa balotazh

"Do të fitojmë Prizrenin pa balotazh, ashtu qe të fitojmë edhe shumicën e asamblesë komunale në qytetin tonë. Besimi im në këtë fitore bazohet në atë që lista jonë është më e mira në Prizren. Dhe ju jeni një grup profesionistësh dhe një listë është e njerëzve të ndershëm dhe të guximshëm dhe së bashku do të vazhdojmë ndryshimin", ka deklaruar ai.

Më tej, ai tha se do të vazhdojnë reformat në shumë fusha, duke theksuar se pesë objektivat e programit të tij do të jenë të realizuara deri në fund të mandatit.

Haskuka: Kemi përmbushur 95 për qind të premtimeve

"Unë ndjehem krenar para jush dhe para qytetarëve të komunës së Prizrenit. Sepse kemi arritur gjatë këtyre katër viteve dhe të përmbushim 95 për qind të premtimeve që kemi dhënë në vitin 2017. Edhe pse disa thonin që është e pamundur, ne kemi arritur të bëjmë reforma në administratë. Kemi hapur qendrën per shërbimit të integruara. Duke kursyer 1,5 milionë euro komunës brenda vitit. Përkundër vështirësive për alokim të buxhetit, për pagesën e edukatorëve në tri vitet e kaluara kemi arritur te funksionalizojmë çerdhen e parë publike në Prizren. Ndërsa, çerdhja e dytë në Dardani ka përfunduar dhe do të funksionalizohet në momentin që masat do të hiqen. Së shpejti do të kryhet edhe çerdhja në Bajram Curr dhe Ortakoll dhe këto janë çerdhet më të mëdha në Kosovë", u shpreh ai.

Gjatë këtij mandati, Haskuka tha se kanë rinovuar edhe mbi 20 shkolla dhe kanë dhjetëfishuar numrin e psikologëve.

Më tej, Haskuka tha se gjatë katër vjetëve kanë shumëfishuar mbështetjet për qytetarët. Po ashtu, shtoi se kanë rritur edhe subvencionet dhe buxhetin për mirëqenie sociale.

Haskuka: Kemi arritur të përfundojmë zonën ekonomike

"Kemi arritur të përfundojmë zonën ekonomike, parkun e biznesit në aspektin infrastrukturor, ku i gjithë ndërtimi është bërë me buxhet komunal. Por, funksionalizimi i saj është bllokuar për shkaqe procedurale, ku Kuvendi Komunal nuk e ka votuar ri-parcializimin e zonës. Agjencia e Privatizimit ende nuk e ka transferuar një pjesë të pronës", shtoi ai.

Kandidati për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se gjatë kësaj kohe kanë punuar të vetmuar, pa mbështetjen e asamblesë komunale.

E kryetari i qendrës së LVV-së në Prizren, Artan Abrashi ka thënë se kjo fushatë po hapet pa praninë e mijëra përkrahësve, por i bindur se janë drejt fitores. Ai shtoi se katër vjet më parë ata u angazhuan që të çrrënjosin korrupsionin duke u dhënë goditjen më të madhe bandave.

Abrashi: Katër vite më parë kur pak kush besonte në Prizren

"Katër vite më parë kur pak kush besonte në Prizren, korrëm fitore duke dhënë goditjen më të madhe krimit të organizuar në gjithë Kosovën. Pushtetin ua morëm bandave dhe ua kthyem qytetarëve. Sot qytetarët kërkojnë llogari, besa bëjnë edhe kritikë pa e pasur frikën për hakmarrje politike e paskrupullt që ishte në Prizren. Në shumë projekte të cilat i organizuam, konsideroj se rikthimi i guximit qytetar është arritja më e madhe", ka thënë Abrashi.

Para hapjes së fushatës dhe prezantimit të kandidatëve për asamble, kryetari Mytaher Haskuka bashkë me anëtarë të tjerë të qendrës në Prizren kanë bërë nderime pranë përmendores së Astrit Deharit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat