Visar Ymeri nga Prizreni: Jemi subjekti më i madh politik në Kosovë, do të dalim fitues me 22 tetor

Prizreni

Visar Ymeri nga Prizreni: Jemi subjekti më i madh politik në Kosovë, do të dalim fitues me 22 tetor

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 19:00
Visar Ymeri

Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka hapur zyrtarisht fushatën e zgjedhjeve të 22 Tetorit në Prizren. Në tubimin zgjedhor që ka filluar në orën 17:00, përveç kandidatit për kryetar të kësaj komune, Mytaher Haskuka, i pranishëm është edhe kryetari Visar Ymeri, deputeti Albin Kurti, deputetja Aida Dërguti, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, dhe dputetë e zyrtarë të tjerë.

Kryetari Visar Ymeri tha se po e nisim fushatë në Prizrenin e Lidhjes, në Prizrenin e historisë, kulturës, prodhimit, bujqësisë, zejtarisë, arsimit, qytetarisë, të Kosovës e gjithë shqiptarisë.

Ai shtoi se Prizreni sot është i katandisur, i demoralizuar, i keqtrajtuar e i shkatërruar nga PDK-ja, por theksoi se me qeverisjen e Mytaher Haskukës, kjo gjë do të ndryshojë, duke theksuar se Prizreni i nesërm do të jetë i rregulluar, i pastruar, i mbrojtur, i zhvilluar.

“Në komunë nis politika. Aty fillon të ndërtohet baza e marrëdhënies midis qytetarëve dhe shtetit, por edhe midis vetë qytetarëve me njëri-tjetrin. Qytetarët e organizuar rreth çështjeve të përbashkëta janë garanti më i mirë për funksionimin e Komunës”, tha Visar Ymeri para prizrenasve, duke marrë shembull qeverisjen e Shpend Ahmetit në Prishtinë.

Kurse, nga Prizreni ai drejtoi kritika të ashpra për qeverisjen e partive të tjera nëpër komuna të ndryshme, duke marrë si shembuj të këqinj qeverisjen aktuale në Gjilan, Ferizaj, Vushtrri e qytete të tjera.

“Komuna është Komunë e mirëqenies. Ajo investon në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore të cilat qytetarit ia sjellin ujin, energjinë elektrike, transportin, shkollën, ambulancën, bibliotekën, parkun, rrugën, trotuarin, këndin e lojërave, fushën e sportit”, shtoi po ashtu Ymeri, duke thënë se gjitha këto mundësohen vetëm me qeverisjen e VV’së nëpër komuna.

Me këtë rast, ai përmendi gjithë kandidatët për kryetarë komunash nga VV, të cilëve iu urojë fitore nga Prizreni.

“Ne sot jemi subjekti më i madh politik në Kosovë. Jemi grupi i parë parlamentar në Kuvendin e Republikës, prijmë në vota në shumicën e Komunave të Kosovës. Jemi të parët në listat zgjedhore me numrin 10. Do të dalim të parët më 22 tetor. Grupet tona të asambleistëve do të jenë më të mëdhatë në Asambletë tuaja komunale. Kryetarët nga VETËVENDOSJE! do t’i qeverisin Komunat tuaja. Për këtë ju uroj dhe përgëzoj. I uroj dhe përgëzoj banorët e secilës komunë veç e veç. I uroj e përgëzoj qytetarët e Republikës së Kosovës. Urime fitorja!”, tha në fund të fjalës së tij, Visar Ymeri.

“Modeli i Prishtinës do të përhapet në Prizren dhe gjitha komunat tjera”

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ishte sot prezent në hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore të VV’së në Prizren. Nga aty, ai u shpreh se modeli i qeverisjes së Prishtinës së shpejti do të përhapet jo vetëm në Prizren, por në gjitha komunat e Kosovës.

Ahmeti në Prizren ka prezantuar sukseset e Komunës së Prishtinës, por edhe sfidat me të cilat qeverisja e tij është përballur. Me këtë rast ai ka përmendur blerjen e autobusëve të rinj, shpërndarjen e shujtave për nxenës dhe strehimin e të varfërve.

“Me 22 tetor, përveç Prishtinës ne synojmë që ta vendosim vulën në të ardhmen politike të Republikës së Kosovës. Ajo vulë e ka zemrën në vete, e ka emrin e subjektit Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe kjo vulë do të fitojë në shumicën e komunave të Kosovës”, tha Shpend Ahmeti në tubimin në Prizren.

“Votoni për kandidatin e parë në listë sepse ai është kandidati i VETËVENDOSJE!’s”, ishte porosia e tij për Prizrenin, teksa bëri thirrje që prizerenasit t’i votojnë edhe kandidatët për asamble nga VV.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat