Kurti: Haskuka, njeriu i duhur për Prizrenin – Totaj, “fytyra e njerëzve të pafytyrë të regjimit”

Prizreni

Kurti: Haskuka, njeriu i duhur për Prizrenin – Totaj, “fytyra e njerëzve të pafytyrë të regjimit”

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 13:13
Mytaher Haskuka dhe Albin Kurti

Për deputetin e themeluesin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk ka kandidat më të mirë për kryetar të Prizrenit, se sa ai i Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka.

Kurti e vlerëson lartë karakterin dhe angazhimin e Haskukës, duke thënë se “shumë më shpejt seç shtohen vitet prejse e njoh, më shtohen respekti dhe dashuria për të”.

Në garën e balotazhit më 19 nëntor, Haskuka përballet me kandidatin e PDK-së, Shaqir Totaj, të cilin Kurti e përshkruan si “fytyra e njerëzve të pafytyrë të regjimit”.

Mytaher Haskuka është ai që përherë ka dëshiruar Prizreni, por gjithnjë i është mohuar, thekson Kurti.

Ish-kryetari i VV-së i ka kushtuar një shkrim Haskukës në Facebook, duke paraqitur vlerat e tij etike e profesionale si përparësi ndaj kundërkandidatit.

Shkrimi i plotë:

Mytaheri

Shumë më shpejt seç shtohen vitet prej se e njoh, më shtohen respekti e dashuria për të. Që do të thotë se më vjen aq mirë që e kam shok dhe më vjen keq që nuk e kam njohur shumë më herët.

Mirëpo Prizreni e ka njohur ngahera Mytaher Haskukën dhe familjen e tij punëtore e patriotike. Sot, Mytaheri nuk është njeriu i VETËVENDOSJE!-s në Prizren për partinë tonë, por është njeriu i Prizrenit në VETËVENDOSJE! për Prizrenin tuaj.

Mytaheri është ajo që përherë ka dëshiruar Prizreni por gjithnjë i është mohuar atij. Mytaheri është zgjedhje e lehtë sepse e vetmja zgjidhje e vërtetë, në këtë balotazh ku polarizimi është maksimal porsi dita me natën.

Mytaheri është doktor shkencash në psikologji. Kundërshtarët tanë kanë sjellë në pushtet injorancën.

Mytaheri është profesor në universitetin e Prishtinës. Kundërshtarët tanë i kanë mbushur universitetet me njerëz të partisë, e partitë me njerëz pa universitet.

Mytaheri ka qenë drejtues i organizatave të mëdha ndërkombëtare në Kosovë. Kundërshtarët tanë vetëm urdhra marrin prej ndërkombëtarëve.

Mytaheri është zgjedhur dy herë deputet, ku është angazhuar për mbrojtjen e të drejtave njerëzore e ligjore, si dhe për mbrojtjen e vendit. Kundërshtarët tanë janë zgjedhur shpesh deputetë, por vetëm kanë shijuar rrogat e kanë miratuar ligje të dëmshme për Kosovën e për popullin.

Mytaheri flet e shkruan disa gjuhë të huaja. Kundërshtarët tanë nuk mund të shkruajnë as shqip, qoftë edhe një status në facebook apo një dokument të thjeshtë zyrtar pa i bërë njëqind gabime.

Mytaheri masterin e ka kryer në një nga universitetet më të mira në Turqi, siç është Universiteti i Bosforit (Bogazici), e doktoraturën e ka mbrojtur në një nga universitetet më të mira të Gjermanisë e të Evropës, siç është ai Ludvig Maksimilian, i Mynihut. Kundërshtarët tanë fillimisht blejnë doktoraturën, brenda a jashtë vendit, pastaj kujtohen të blejnë dhe diplomën e universitetit.

Mytaheri është humanist që ka punuar kundër diskriminimit gjinor, etnik e racor. Kundërshtarët tanë mbjellin përçarje, i ndajnë etnitë nëpër parti, i shajnë ato, pastaj ua korruptojnë ato parti para se t’iu ofrojnë bashkëqeverisje.

Mytaheri është familjar i mirë. Për kundërshtarët tanë flet e ç’nuk flet gjithë pazari. Mytaheri nuk ka vjedhur kurrë. Kundërshtarët tanë nuk besojnë se ka njeri që s’vjedh.

Mytaheri rrjedh nga familje patriotike dhe angazhohet për kombin. Kundërshtarët tanë ndoshta edhe kanë marrë pjesë në luftë, por pas luftës e kanë braktisur luftën, kombin, UÇK-në, dhe kanë punuar vetëm për vete, duke ia hapur rrugën Serbisë, ekonomikisht dhe politikisht.

Mytaheri e do Kosovën. Kundërshtarët tanë e dhunojnë Kosovën. Mytaheri e dashuron Prizrenin. Kundërshtarët tanë e përbuzin Prizrenin.

Pra, Mytaheri është krejtësisht e kundërta e kundërshtarëve tanë, atyre që kanë uzurpuar pushtetin për gjithë këto vite pas çlirimit, dhe që e kanë lënë Prizrenin, kryeqytetin historik të gjithë shqiptarëve, qytetin e bashkëjetesës së kulturave, etnive dhe feve, në mëshirë të fatit.

Them kudërshtarët tanë dhe jo kundërshtari (në njëjës) sepse kundërkandidati i Mytaherit nuk përfaqëson veten e tij por regjimin e tyre. Ai është veçse fytyra e njerëzve të pafytyrë të regjimit.

Pak ditë kanë mbetur deri në zgjedhje. Prizreni e ka në dorë të bëhet qyteti i dytë i ndryshimit, dhe Prizrenit i takon të ndjekë Prishtinën. Kryeqyteti shpirtëror nuk mund të mbetet pas kryeqytetit institucional. Nuk ka kuptim Prishtina e zhvilluar, Prizreni i prapambetur.

Pra, angazhohuni vetë, angazhoni edhe familjarët e të njohurit tuaj. Folni me ta, pavarësisht partisë që i përkasin. Le të bëhemi të gjithë bashkë që Prizreni të mos qeveriset nga klani Pronto.

Le të bëhemi të gjithë bashkë për një Prizren kryeqendër të shqiptarëve, por edhe të turqve, të boshnjakëve, të romëve, të serbëve, të goranëve e të gjithë minoriteteve të tjera. T’i largojmë ata që mbjellin urrejtje mes nesh.

Për një Prizren me shkolla e me qendra mjekësore, për një Prizren pa korrupsion e pa injorancë në pushtet, ne duhet ta hapim derën për të gjithë ata që duan të vijnë në bashkëqeverisje me ne. Secili qytetar e ka derën e ndryshimit të hapur. Mos trokisni. Veç ejani e bashkohuni, për Mytaherin, për Prizrenin. Me zemër. Me gëzim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat