Veseli premton mbështetje më të madhe për fermerët e Rahovecit

Prizreni

Veseli premton mbështetje më të madhe për fermerët e Rahovecit

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 18:08
Kadri Veseli

(E plotësuar) - Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka premtuar vazhdim të mbështetjes për fermerët dhe qytetarët e Komunës së Rahovecit. Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, në tubimin elektoral të mbajtur sonte në këtë komunë, ka thënë se PDK dhe Idriz Vehapi kanë sjellë në këtë komunë traditën për të mbështetur fermerët në çdo fushë të agrobiznesit.

Veseli: PDK nga 2008 ka filluar një partneritet zhvillimor

"Nga 2007 PDK merr qeverisjen dhe nga 2008 ka filluar një partneritet zhvillimor, i cili përreth një dekade është në zhvillim, që ka ndihmuar edhe në fizionominë e prodhimit në Republikën e Kosovës, veçanërisht fushëveprimtarinë e prodhimtarisë bujqësore. Në të njëjtën kohë edhe përkrahjen institucionale, e cila ju jep, qoftë përmes subvencioneve për verëtarë, qoftë me krerë për bagëti, në të njëjtën kohë me numrin e bletëve. Në çdo fushëveprimtari të agrobiznesit është një përkrahje për fermerët. Tani më nuk është çështje se a do të kenë fermerët përkrahje apo jo, ajo çështje është e përfunduar, tani më çështjen e flasim çdoherë me fermerët se sa do t’i rrisim ato", tha ai.

Po ashtu, lideri i PDK-së, Kadri Veseli tha se PDK si bartëse e përgjegjësive institucionale, do të jetë 100 për qind përkrah Idriz Vehapit. Veseli tha se çdo dikaster i qeverisë së Kosovës do të jetë përkrahë Idriz Vehapit.

I pari i PDK-së pati diçka për të thënë edhe për kandidatin e AAK-së për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi, të cilin e quajti tregtar.

Veseli: Kundërkandidati nuk e kemi ditur që kishte qenë shumë tregtar

"Me respektin më të madh për kundërkandidatin, e kemi pasur bashkëluftëtar, por nuk e kemi ditur që kish qenë shumë tregtar. Përndryshe, Kosova ktyneherë e ka pasur “Eximkos” kishim dërgu, por tash ndoshta e dërgojmë në Ministri të Tregtisë, pasi të humb në Rahovec, se ka me humb", tha Veseli.

Ndërsa, kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së për kryetar të Rahovecit, Idriz Vehapi tha se meritojnë të festojnë, sepse sipas tij kanë punuar shumë që t’i zgjidhin problemet e Komunës së Rahovecit. Vehapi premtoi se do të vazhdojë që bizneset t’i trajtojë si partner të Komunës, duke iu krijuar lehtësira dhe mundësi për prodhim dhe shitje, e jo vetëm në Kosovë.

Vehapi: Fermerët janë një nga prioritetet e programit tonë

"Fermerët, ata që nuk e njohin fjalën lodhje, ata që me përkushtim e dashuri po e trajtojnë këtë tokë për të sjellë tek ne gjitha të mirat e kësaj toke. Janë një nga prioritetet e programit tonë, do të rrisim subvencionet e grantet për ta. Do të shtrojmë edhe më shumë rrugë fushore dhe ta zgjerojmë sistemin e ujitjes. Do të zgjerojmë hapësirat e vreshtave dhe kështu do të ndihmojmë edhe vertarët, që këtë rrush të mirë ta sjellin tek ne në forma të ndryshme", tha Vehapi.

Gjithashtu, pretendenti edhe për një mandat në krye të Rahovecit tha se do të ndërtojnë edhe shkolla, do t’i pajisin shkollat me laboratorë, sepse sipas tij ky është investim për të ardhmen.

Vehapi tha se do të vazhdojë të jetë transparent, siç ka qenë dhe do të komunikojë me sinqeritetin më të madh me të gjithë qytetarët e Komunës së Rahovecit.

Idriz Vehapi i PDK-së në balotazhin e së dielës do të përballet me kandidatin e AAK-së, Smaj Latifi, i cili në zgjedhjet e 22 tetorit ka dal i pari./

Veseli: Nuk e kemi ditur se Smajl Latifi kishte qenë shumë tregtar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, u zotua sot në Rahovec se do të bëjnë shumë më shumë se që kanë bëri më tani për Komunën e Rahovecit, ndërkohë që nuk ka kursyer kritika ndaj kandidatit të AAK-së Smajl Latifi, për të cilin tha se e kanë pasur bashkëluftëtarë, por nuk e kanë ditur se është shumë tregtar.

Veseli tha se si PDK do të jetë 100 për qind përkrah kandidatit të saj për kryetar komune.

“Do të bëjmë më shumë edhe për secilin fermer, secili fermer përkrahet nga komuna e Rahovecit. Të jemi përgjegjës të jemi në shërbim të katër viteve të ardhshme. Këtë do ta bëjmë gjatë katër viteve të ardhshme", tha ai.

Ai  pati disa fjalë edhe për kandidatin e AAK-së për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi.

"Kundërkandidatin e kemi pasur bashkëluftëtar, por nuk e kishim ditur që kish qenë shumë tregtar", tha ai.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryetar të Rahovecit, Idriz Vehapi, tha se ka programin më të mirë për të udhëhequr me qeverisjen komunale në katër vjetët e ardhshme.

“Ne e kemi programin e duhur për këtë qëllim. Kam vizituar edhe shumë biznese dhe ato po zhvillohen. Bizneset do t’i trajtojmë si partner të komunës, duke iu ofruar lehtësira. Fermerët janë një nga prioritetet e programeve tona, do të rrisim subvencionet”, tha ai.

Vehapi tha se do të vazhdojnë me ndërtimin e shkollave dhe do të ‘i pajisin me laboratorë, ndërkohë që do të vazhdojnë shërbime të mira për qytetarët edhe në sektorin e shëndetësisë dhe nuk do të lënë pas dore as zhvillimin e infrastrukturës rrugore.

“Do të investojmë shumë në sport, pasi që kjo rini që kemi mund të arrijë majat e suksesit. Do të investojmë edhe në kulturë. Programi ynë për katër vite është program i mundësive dhe ju ftoj që të dielën të shfrytëzoni të drejtën për të votuar dhe të votoni numrin 94, se kështu i jepni mundësi një qeverie të mirë”, ka thënë Vehapi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat