Aktakuzë edhe ndaj një drejtori të Komunës së Prizrenit

Prizreni

Aktakuzë edhe ndaj një drejtori të Komunës së Prizrenit

Më: 20 nëntor 2017 Në ora: 21:56
Prokuroria në Prizren

Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore të Prizrenit ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar edhe ndaj një drejtori të Komunës së Prizrenit.

Fjala është për drejtorin aktual të Administratës Publike, Ilir Baldedaj.

Baldedaj vjen nga radhët e subjektit politik AAK.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Baldedaj akuzohet se nga gushti i vitit 2015 deri në dhjetor të vitit 2016 ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar duke keqpërdorur pasurinë publike për persona të tjerë juridikë, përkatësisht për tre televizionet lokale: TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni.

Aktakuza e ngarkon Baldedajn se pa ndonjë procedurë të tenderimit ka lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese në lidhje me aplikimet online për nevojat e Komunës së Prizrenit, gjegjësisht të Drejtorisë së Administratës Publike, raporton KALLXO.com.

Me TV Opinionin ka lidhur kontratën për transmetim më 01 gusht 2015 deri më 31 korrik 2016 në vlerë prej 300 euro në muaj.

Me TV Besa ka lidhur kontratë më datë 01 shtator 2015 deri më datë 01 gusht 2016 në vlerë prej 250 euro në muaj.

Me TV Prizrenin ka lidhur kontratë me datë 01 prill 2016 e cila do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2016 në shumën prej 500 euro në muaj.

Më tutje aktakuza e Prokurorisë pretendon se pas ekspertizës së kryer financiare nga ana e ekspertit përkatës, ka rezultuar se në bazë të kartelave të furnitorëve të tre televizioneve të lartpërmendura për shërbime të spoteve reklamuese lidhur me aplikimet online janë tejkaluar shumat e parashikuara me kontrata.

Për TV Opinionin për vitin 2015-2016 është paguar një shumë prej 37 mijë 450 euro, për TV Besën për periudhën 01 shtator 2015 deri më 01 gusht 2016 është paguar shuma prej 25 mijë e 650 euro dhe për TV Prizrenin në periudhën kohore prej datës 01 prill 2016 deri më 31 dhjetor 2016 është paguar shuma prej 9 mijë e 800 euro.

Në bazë të veprimeve të lartcekura, Prokuroria e akuzon drejtorin Baldedaj për kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, për të cilën vepër penale parashihet dënimi deri në 5 vjet burg, raporton KALLXO.com.

Ndryshe, Ilir Baldedaj nuk është drejtori i vetëm i Komunësë së Prizrenit ndaj të cilit është ngritur aktakuzë.

Deri më tani, me aktakuzë janë përballur edhe 8 drejtorë të tjerë të qeverisjes së kryetarit Ramadan Muja, i akuzuar po ashtu dhe dënuar në shkallën e parë.

Ramadan Muja është akuzuar dhe dënuar në shkallën e parë për katër pika të aktakuzës për keqpërdorim të pozitës zyrtare me dy vjet burg me kusht dhe ndalim ushtrimi i funksioneve publike për 30 muaj.

Minir Krasniqi (kryetar i degës së PDK-së në Prizren), ish drejtor i Administratës Publike u dënua me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht, për shkak se pronën që ishte e AKP-së e kishte kaluar në emër të Komunës brenda një dite dhe kishte nënshkruar kontratë me Qendrën Edukative Arsimore “Gulistan” me të cilën në mënyrë të paligjshme i jepej kësaj të fundit toka e AKP-së në shfrytëzim për 40 vjet pa kompensim.

Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrit, i akuzuar se ka dhënë në mënyrë të paligjshme tokën e AKP-së u dënua me 5 muaj burgim me kusht, për shkak se së bashku me Minir Krasniqin dhe Ramadan Mujën pronën që ishte e AKP-së e kishte kaluar në emër të Komunës brenda një dite dhe kishte nënshkruar kontratë me Qendrën Edukative Arsimore “Gulistan” me të cilën në mënyrë të paligjshme i jepej kësaj të fundit toka e AKP-së në shfrytëzim për 40 vjet pa kompensim.

Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrit, u dënua me 8 muaj burgim me kusht për mosekzekutim të vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës me të cilën i njihej Komunës së Prizrenit e drejta si pronare legjitime të dy parcelave që shfrytëzoheshin nga persona privatë.

Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, u dënua me 8 muaj burgim me kusht, për shkak se së bashku me Mujën i ka ndarë toka prej 20 mijë metrash katrorë fabrikës së çokollatës “Kamila” në vlerë prej 40 mijë eurosh në formën e shfrytëzimit pa pagesë, pa i ndjekur procedurat përkatëse ligjore.

Abdullah Tejeci, ish-drejtor i Gjeodezisë, u dënua me 4 muaj burgim me kusht për shkak se kishte zbatuar një konkluzion të përpiluar nga Minir Krasniqi e i nënshkruar nga Ramadan Muja me të cilin kishte urdhëruar ekspertët që të mos përfaqësojnë në gjykatë, kështu që ishte bërë bllokimi i lëndëve gjyqësore për gjashtë muaj rresht.

Nexhat Çoçaj, drejtor i Arsimit, u dënua me 3 vjet burg efektiv, se keqpërdori paratë e dedikuara për manifestimin tradicional kushtuar dëshmorit të UÇK-së Remzi Ademaj, nga viti 2008 deri në vitin 2012. Tani lënda është kthyer në rigjykim.

Bedria Ejupagic, drejtor i Emergjencave, akuzohet se nuk ka evituar rrezikun e përgjithshëm që çoi deri në vdekjen e trevjeçares nga Prizreni, Xheneta Gashi.

Bujar Hasani, aktualisht drejtor i Inpeksionit, akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Aktakuza është ngritur në bazë të hulumtimit të Gazetës “Jeta në Kosovë”./JNK/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat