Ec Ma Ndryshe: Komuna rrëzoi një ndërtesë të trashëgimisë në Prizren

Prizreni

Ec Ma Ndryshe: Komuna rrëzoi një ndërtesë të trashëgimisë në Prizren

Më: 5 korrik 2018 Në ora: 11:58
Prizren

Ndërtesa që i takonte fillimit të shekullit XX, e ndërtuar me teknikë tradicionale të ndërtimit në rrugën "Adem Jashari" në Prizren, është rrënuar në tërësi.

Sipas organiztës jo qeveritare, Ec Ma Ndryshe, kjo ndërtesë është rrënuar me leje të Komunës së Prizrenit, gjegjësisht Drejtoratit për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor (DUPH), edhe pse për rastin në fjalë Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Prizren, si institucion kompetent i trashëgimisë, nuk ka dhënë pëlqim për një veprim të tillë.

“Me datë 22 shkurt 2018, DUPH (Komuna e Prizrenit), pas aplikimit të investitorit të ndërtesës në rrugën "Adem Jashari" (nr. i ngastrës 804-0), i drejtohet QRTK-së në Prizren me kërkesë për dhënie të pëlqimit për ndërtimin e objektit të banimit me lokal afarist. Në bazë të informatave zyrtare të marra nga QRTK në Prizren, ky autoritet në fillim të këtij viti kishte refuzuar kërkesën e investitorit për ndërtim të objektit të ri në këtë parcelë”, thuhet në kumtesën e kësaj organizate.

Sipas përgjigjes së QRTK-së, kjo ndërtesë ka qenë pjesë e Zonës së Dytë Mbrojtëse të qytetit sipas Planit Zhvillimor Urban (PZHU) të Prizrenit. "Fasada ballore e ndërtesës në fjalë ka qenë e punuar me elemente dekorative lineare, karakteristikë e fillimit të shekullit XX dhe pranë saj në varg gjenden edhe katër ndërtesa tjera të cilat datojnë nga kjo periudhë, të cilat ruajnë karakterin historik të çarshisë tradicionale të zhvilluar në vijë kontinuale, ku posedojnë vlera historike. Komisioni ka vlerësuar që në këtë potez nuk duhet të prishet ansambli arkitektonik, rrjedhimisht që gabariti dhe fasada ballore nuk duhet të rrënohet andaj ka vendosur që të refuzohet kërkesa e palës për ndërtim të ri në këtë parcelë", thuhet në përgjigjen e QRTK-së.

EC Ma Ndryshe, vendimin e DUPH-së për rrënimin e ndërtesës në fjalë e konsideron si vendim jo të drejtë dhe kontradiktor. Kjo drejtori fillimisht ka kërkuar pëlqim nga QRTK Prizren për lëndën në fjalë, i refuzohet kërkesa për rrënim dhe ndërtim të ri dhe më pas vet DUPH e konsideron se nuk ka nevojë për një rekomandim të QRTK-së. EC rikujton se Komuna e Prizrenit, gjegjësisht DUPH edhe pse ka filluar me procesin e hartimit të Hartës Zonale, ka ende në fuqi Planin Zhvillimor Urban 2003-13. Në bazë të analizave, të dhënave dhe konform parimeve ndërkombëtare për zonim të vlerave të trashëgimisë kulturore, ky Plan definon tri Zona nën Mbrojtje në kuadër të qytetit të Prizrenit: Zonën e Parë të Mbrojtjes (Qendrën Historike të Prizrenit), Zonën e Dytë të Mbrojtjes dhe Zonën e Kontaktit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat