Historia e Prizrenit të shekullit XX dokumentohet përmes një ekspozite

Prizreni

Historia e Prizrenit të shekullit XX dokumentohet përmes një ekspozite

Më: 11 gusht 2018 Në ora: 11:15
Prizreni

Një pjesë e historisë kulturore dhe ekonomike të Prizrenit të shekullit XX po dokumentohet përmes projektit “Prizren Urban Memoryscape”.

Ky projekt i cili po realizohet nga “Iniciativa e Historisë Gojore” në bashkëpunim me fondacionin “Lumbardhi” përfshin hulumtimin, arkivimin dhe ekspozimin e tregimeve dhe materialeve të njerëzve që kanë punuar në fushën e ekonomisë dhe kulturës në Prizren gjatë kësaj periudhe.

Erëmirë Krasniqi, drejtore ekzekutive e Iniciativës për Histori Gojore, ka thënë për Kosovapress se pos dokumentimit të së kaluarës, ky projekt ka pasur qëllim që t’i trajnojë studentët në mënyrë që ata të prodhojnë dije rreth historisë së komunitetit të tyre.

Krasniqi: Kemi dashur t’i trajnojmë studentët për dokumentimin e historisë

“Kemi dashtë brenda këtyre temave me i trajnu, me i pajisë me aftësi studentët, të cilët ishin bërë  në njëfarë forme, historianë lokalë, dhe kishin qenë ata,  të cilët i kishin mbledhur këto tregime edhe kishin krijuar dije rreth komunitetit të tyre. Jemi fokusuar më shumë në pjesën e dytë të shekullit XX, do të thotë pas  Luftës së Dytë Botërore, sepse, në njëfarë forme, çkado që fillon me hulumtu, qoftë kulturë apo ekonomi, apo zhvillim urbanistik, arkitekturë, gjithmonë bazat e secilës i gjen te sistemi jugosllav edhe çka ata kanë ndërtuar, do me thënë memoria institucionale fillon aty”, ka thënë Krasniqi.

Ky projekt, i cili është mbështetur nga fondi Franko-gjerman, ka filluar të implementohet në mars të vitit 2018, ku rreth 13 studentë janë trajnuar në metodologji gojore dhe arkivim, për të filluar më pas me realizimin e intervistave dhe mbledhjen e materialeve.

Krasniqi ka treguar se punën në këtë projekt e kanë bërë në bashkëpunim me Fondacionin “Lumbardhi” si dhe kanë kontraktuar ekspertë nga Gjermania dhe Franca.

Krasniqi: Projekti është realizuar në bashkëpunim me Lumbardhin

“Ky projekt është në bashkëpunim me ‘Lumbardhin’. Na si Inciativë për Histori Gojore e kemi mbështet projektin kryesisht në aspektin profesional, në ekspertizë. Në fillim e kam bërë atë hulumtim të historisë gojore, po mandej jam unë e cila ka fol me krejt njerëzit tjerë, për me i trajnu pjesëmarrësit në fazat e ardhshme, do me thënë kam qenë pika kontaktuese për me dizajnu edhe me i përzgjedh këta njerëz që kanë ardhë prej Gjermanisë edhe Francës për t’i bërë pjesët e tjera të projektit”, ka thënë Krasniqi.

Krejt kjo punë  e stafit dhe  organizatave bashkëpunuese dhe e pjesëmarrëseve sipas Krasniqit  do të kurorëzohet me një ekspozitë gjatë shtatorit, gjatë së cilës do të dokumentohen materialet dhe tregimet e mbledhura nga kujtesa e njerëzve që kanë kontribuar në forma të ndryshme në ekonomi dhe kulturën e Prizrenit gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.

Krasniqi: Ekspozita do të mbahet në shtator

“Ekspozita është menduar  të mbahet për javën e tretë të shtatorit, pjesëmarrësit tash veç janë duke menduar se çka është me vlerë prej asaj që e kanë mbledh, prej tregimeve edhe jemi duke e shikuar sa kemi material vizuel, sa kemi tregime, edhe çfarë drejtime po duan  tregimet e tyre me marrë. Për këtë fazë jemi koncentru shumë në histori ekonomike edhe në historinë kulturore të Prizrenit”, ka thënë Krasniqi.

Disa nga tregimet e mbledhura për këtë projekt, janë publikuar në webin e Iniciativës për Histori Gojore, kurse puna finale do të paraqitet në shtator.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat