KFOR-i gjerman pas 19 vitesh largohet nga Prizreni

Prizreni

KFOR-i gjerman pas 19 vitesh largohet nga Prizreni

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 07:47
Ilustrim

Në sheshin Shatërvan të Prizrenit, sot me fillim nga ora 16:30 me një ceremoni të largimit do tu jepet lamtumira ushtarëve gjermanë të KFOR-it që për 19 vite shërbyen në qytetin e Prizrenit.

Gjermania dhe ushtria gjermane (Bundeswehr-i) do të mbeten edhe më tej aktive në Kosovë. Pas një pranie gati 20-vjeçare në Prizren, Bundeswehr-i e transferon angazhimin e tij në Camp Film City në Prishtinë dhe mbetet edhe më tutje i aktiv në kuadër të KFOR-it. Në hapësirën e kampit fushor në Prizren do të ngritet Parku gjermano-kosovar Inovativ dhe Trajnues (ITP), i cili do të mbështetet me mjete të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë Federale gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Për ta shënuar këtë ditë në Kosovë do të qëndrojnë  Sekretarja Parlamentare e Shtetit në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Maria Flachsbarth, dhe Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes, Thomas Silberhorn. Të dy së bashku do t’i thonë lamtumirë kontingjentit gjerman të KFOR-it në Prizren dhe në mënyrë simbolike do të hapin Parkun Invativ dhe Trajnues „ITP Prizren“, për të cilin shfrytëzohet kampi fushor në Prizren.

Gjatë vizitës së tyre, sekretarët parlamentarë do të takojnë Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Ministrin e Financave, Bedri Hamza.

Në Kampin Fushor gjerman në Prizren nga ora 15:15 mbahet një shetitje nëpër Kampin Fushor. Kurse, pas  orës 18:00, në selinë e kryetarit të komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, organizohet një pritje për mysafirë, në të cilën do të marrin pjesë përfaqësues të lartë nga politika gjermane dhe ambasdori i Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Christian Heldt, si dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në vazhdim të bisedave ata do të marrin pjesë në pritjen e Ambasadës Gjermane për Ditën e Bashkimit të Gjermanisë, e cila këtë vit shënohet në frymën e 10-vjetorit jubilar të marrëdhënieve diplomatike në mes Gjermanisë dhe Kosovës. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat