Homazh përkujtimi për Papën, Shen Gjon Palin e dytë, në 15 vjetorin e kalimit në amshim

Religjion

Homazh përkujtimi për Papën, Shen Gjon Palin e dytë, në 15 vjetorin e kalimit në amshim

Nga: Lekë Mrijaj Më: 2 prill 2020 Në ora: 21:57
Shen Gjon Pali i dytë

Udhëheqësi i shpirtëror karizmatik i Selisë së Shënjtë tashmë në amshim, Polaku Karol Wojtyla, Papa Shën Gjon Pali i Dytë, kaloi në amshim me 2 prill 2005 apo sot,15 vjet më parë, i cili si pasardhës shpirtëror i "... Pjetër Shkambit", vertetë la gjurmë të pashlyeshme në historikun e Selisē së Shënjte të Kishës Katolike e Apostolike dhe në mbarë botën njerëzore. Ishte një Papë karizmatik, i cili ndihmoi në thyerjën e komunizmit në vëndet e ballkanit përëndimor kështu që vertetë ndihmoi në ndryshime pozitive dhe la gjurmë të thella në historinë e Evropës Lindore. Lutej për paqen, dhe për zhdukjen e problemëve sociale pa dallim vëndi e race njëkohësisht edhe për njerezimin dhe mbarevajtjen e besimëve të tyre.

Gjithmonë ashtu siq ishte i thirrur nga Jezusi, lutej kundër luftrave në Lindjen e Mesme, në Ballkan dhe në Afrikë. Ai, gjithëherë i'u bëri thirrje në mënyrë të përsëritur udhëheqësve të fuqive të mëdha botërorë që të përdorin gjithmonë rrugët paqësore për zgjidhjen e problemeve jetike dhe konflikteve nacionale e ndërkombëtare.

Mbahet në mëndjen tonë evenimenti madhështor i asaj kohe, që do të thotë se për ne shqiptaret (Shqipëri, Kosovë, mergatë e trojet shqiptare) ardhja e Tij në Shqipëri, me 25 Prill 1993, ai puthi tokën arbërore, "tokën e harmonisë të tre besimeve monoteiste e që do të mbetët përjetësisht në kujtesën tonë. Papa Gjon Pali i dytë është mirëprit nga presidenti i atëhershëm i Shqipërisë demokratike, dr. Sali Berisha, i cili e përshëndeti me atë rast Gjon Palin në emër të të gjithë shqiptarëve, duke theksuar lidhjet historike midis Vatikanit dhe të kombi shqiptar. "Lidhjet e Shqipërisë me Selinë e Shenjtë janë lidhje shpirti dhe lirie", tha udhëheqësi shqiptar. "Në historinë e tyre, shqiptarët kanë patur në Selinë e Shenjtë mikun dhe aleatin e tyre, kanë gjetur mbështetjen e fuqishme në luftën dhe përpjekjet e tyre për të ruajtur lirinë, ndërsa tek Ju, mikun e shquar që lutej gjithnjë për Shqipërinë. Zoti e ka dëgjuar lutjen Tuaj dhe sot Ju vini në një Shqipëri të lirë. Ne, dhe brezat që do vijnë, do t'ju jemi gjithmonë mirënjohës", tha ndër të tjera presidenti i parë i Shqipërisë demokratike, dr. Sali Berisha.

Papa Gjon Pali i Dytë ka meshuar me ipeshkvinj e meshtar shqiptar. Me atë rast në Sheshin "Gjergj Kastriotit-Skënderbeut" në Tiranë besimtarve Papa Gjon Pali i dytë, ju është drejtuar me këto fjalë shqiptarëve katolikë dhe komunitetëve të tjera, pra të gjithë atyre që lanë pas diktaturën komuniste duke thënë: “ “Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë mbjell farat e shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare”!

Këto fjalë kuptimplote të Atit të Shenjtë Wojtilla ripohuan përfundimisht para mbarë botës origjinën shqiptare të Gonxhe Bojaxhiut, të Shenjtes Nënë Terezë. Ja fjalët e Papës: “Të dashur, nuk mund mos të përshëndes një person fort të përvuajtur që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza E Kalkutës. Të gjithë e dinë nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte pikërisht kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbëtore e përvuajtur e më të varfërve ndër të varfër që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut t uaj. Në të, në personin e Nënë Terezës Shqipëria është nderuar gjithmonë. Ky është misioni i saj e i të gjithë atyre, që porsi ajo, janë ndjekës së vërtetë të Krishtit, apostuj të Krishtit, apostuj të dashurisë e të përdëllimit. Ju falënderoj sot në emër të Kishës Universale, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj”! Në Tiranë, në përfundim të vizitës së tij të 25 prillit 1993, Papa Gjon Pali II i drejton përshëndetjen mbarë kombit shqiptar “Vëllezër e Motra shqiptare! Ju përshëndes përzemërsisht! Pas një dite me një program të ngjeshur me kremtime e takime të cilat më dhanë mundësinë të shikoja dhe të përjetoja nga afër jo vetëm fenë e gjallë të Bashkësisë katolike, por edhe ngrohtësinë e mikpritjes së popullit shqiptar, ja erdhi i ndarjes e përshëndetjes dhe thellësisht i prekur nga përzemërsia, po përgatitem të ndahem prej jush. Në miqësinë që më keni shfaqur, kam kuptuar se pata të bëj me miq që kishin një zemër të madhe. Në çiltërsinë tuaj pash guximin e një demokracie të re, një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund e të errët të një diktature e të një ateizmi mbytës. Ju faleminderit për mikpritjen tuaj! Vëllezër e motra shqiptarë fort të dashur! Zoti e ruajt Atdheun tuaj. Zoti e mbrojt popullin shqiptar në mbarë botën. Në emër të Zotit ju përqafoj dhe ju bekoj të gjithëve. Mirupafshim. Ju uroj me gjithë zemër: gjithë të mirat”!

Papa Gjon Pali i dytë ishte gjithmonë pranë popullit të Kosovës gjë qe ka percjell edhe gjëndjen e luftes sonë, duke u lutur për paqen me mesazhin Urbi et Orbi – drejtuar Romës e Botës të dielën e Pashkëve të 4 prillit 1999 nga Vatikani. Pikërisht atherë kur në trojet kosovare zhvillohej lufta shqiptaro-serbe, që shkaktoi kaq shumë viktima e sakrifica për popullin shqiptar të atyre trojeve. "Nga Zoti i Ngjallur kërkoi dhuratën e çmuar të paqes, posaçërisht për tokën e martirizuar të Kosovës, ku lot e gjak përzihen në një skenë dramatike, plot urrejtje e dhunë. Mendoj për atë që u vra, për atë që mbetet pa strehë, për atë që e ndajnë nga familjarët, për atë që detyrohet të ikë larg. E uroj të mobilizohet solidariteti i të gjithëve që, më në fund, të nisin e të flasin vëllazërimi e paqja. E si mund të mos prekemi thellë përballë vërshimit të dhimbshëm të burrave e të grave të Kosovës, që na trokasin tek porta, duke na kërkuar ndihmë? Në këtë ditë shenjte, e ndjej për detyrë t’u drejtoj një thirrje të ngutshme Autoriteteve të Republikës Federale të Jugosllavisë, të lejojnë hapjen e një korridori humanitar, për të krijuar mundësinë që ndihmat të arrijnë tek popullsia, e grumbulluar në kufirin e Kosovës. Për veprat humanitare nuk duhet të ekzistojnë kufijtë; hapja e korridoreve të shpresës mbetet detyrë e përhershme”.

Papa Gjon Pali dytë, kanonizoi një numër të madh prej 450 shenjtorësh, mes tyre edhe Nënë Terezën shqiptare. Ai, veq tjerash bëri edhe qindra e qindra shugurime të kardinajve dhe ipeshkvinjëve të botës mbarë duke perfshirë edhe prelatët shqiptar siq ishin edhe monsinjor Mikel Koliqi, në janar të vitit 1992 dhe me vonë pikërisht me 26 nëntor 1994, mons. Mikeli u emërua kardinal nderi.

Ishte edhe imzot Mark Sopi, ipeshkvi ynē nga Kosova, i cili e mori shugurimin ipeshkvnor nga Papa Gjon Pali II, më 6 janar 1996 në Vatikan, ndaj edhe nga atherë pas imzot Nikë Prelës e mori udhëheqjen e Kishës katolike në Kosovë me seli në Prizren më 18 shkurt 1996. Shuguron edhe ipeshkvinjë të tjerë, imzot Angelo Masafrën, imzot Hil Kabashin, imzot Zef Gashin.

Procesi i Lumturimit të Papa Gjon Palit të dytë ka përfunduar në mënyrë të përshpejtuar dhe të mirë, kështu që më 1 maj 2011 është bërë Lumturimi i Tij (s'bashku me të Lumën Nënë Tereza) ndërsa Shenjtërimi apo Kanonizimi me 27 prill 2014.

Pas ikjës në amshim të Papa Gjon Palit e dytë thanë:

Presidenti Rugova ka thënë se, "Papa Gjon Pali ishte një mik dhe At për Kosovën. Ai ka merita të mëdha për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e vendit tonë, Kosovës. Mund të them se isha mik i një Pape dhe njeriu të Madh. Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi, do ta kujtojnë si At të shenjtë të Madh, i cili ka bërë shumë për kombin tonë".

-ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu e ka vlerësuar Gjon Palin II si, “Një figure të madhe, pasi ai është jo vetëm baritori i katolikëve në mbarë botën, por edhe i mbarë njerëzimit, sepse kontributi i tij ka përmasa të tilla…ai i ka dhënë njerëzimit atë që i ka munguar, dashurinë e njeriut për njeriun”.

-Imzot Nikë Prela permes fjalëve të don Lush Gjergjit thotë: "Do të mbetet një kujtim i paharrueshëm fjala e madhe e Papës Gjon Palit, thënë më 1981 pak para shpërthimit të ngjarjeve të Kosovës se “pas popullit tim polak po ua shpaloj zemrën dhe po u them se më së tepërmi e dua popullin shqiptar, sepse keni vuajtur shumë dhe padrejtësisht dhe na e keni dhuruar Nënë Terezën”.

-Imzot Mark Sopi: "Papa Gjon Pali i dytë do të mbahet në mend si personalitet i angazhuar jashtëzakonisht rreth thyerjës sê komunizmit në ballkan e çështjes së Kosovës si dhe çështjeve të tjera bazike të katolicizmit, përkatësisht atyre që kanë të bëjnë me moralin njerëzor dhe nevojat sociale. (parafrazim gjatë një interviste në "Radio Evropa e Lirë", me 2 prill, 2005).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat